Pas suspendimit të gjyqtares Liljana Stevanoviq, masa priten të merren edhe ndaj disa eprorëve serbë të Policisë së Kosovës, të cilët të martën kanë marrë pjesë në takimin e Këshillit të Sigurisë të Serbisë. Por, njohës të çështjeve të drejtësisë vlerësojnë se përveç procedurave disiplinore, duhet të ketë hetim edhe sa i përket përgjegjësisë penale. Në anën tjetër, për shkak të suspendimit të gjyqtares, kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, paralajmëroi bojkotim të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Duke qenë kryetare e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Liljana Stevanoviq, bashkë me disa eprorë serbë të Policisë së Kosovës në veri, të martën morën pjesë në një mbledhje të Këshillit të Sigurisë së Serbisë, ku i pranishëm qe edhe presidenti Aleksandër Vuçiq.
Për këtë veprim që e bëri, gjyqtarja Stevanoviq të enjten u suspendua me vendim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, derisa për policët, Inspektorati Policor tha se është duke e shqyrtuar ende marrjen e masave për çështjen e pjesëmarrjes së tyre.
“Duke iu referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se Inspektorati Policor i Kosovës është njoftuar zyrtarisht për këtë çështje dhe se në kuadër të kompetencave dhe autorizimeve ligjore, është duke e shqyrtuar çështjen e pjesëmarrjes së eprorëve të Policisë së Kosovës në takim me presidentin e Serbisë”, ka njoftuar IPK-ja.
Ehat Miftaraj nga IKD-ja thotë se përveç procedurave disiplinore, pjesëmarrja e gjyqtares dhe policëve duhet të hetohet edhe për elemente potenciale të veprës penale.
Kësisoj, Miftaraj përmend se është shqetësuese se si një gjyqtare e disa policë të Kosovës kanë marrë pjesë në një takim të tillë, ku i pranishëm ka qenë edhe Milan Radojçiqi, i kërkuar nga organet e drejtësisë kosovare për vepra penale.
“Sigurisht se nuk lë shumë hapësirë tjetër për institucionet e Kosovës, përveç se për të iniciuar procedura disiplinore, por edhe pse jo për të vlerësuar nëse ka edhe përgjegjësi penale të këtyre personave të cilët kanë marrë pjesë në një takim të tillë të nivelit të lartë ku ne të gjithë e dimë që në këto takime të Këshillit të Sigurisë diskutohet edhe për informata inteligjente, informata të cilat, në bazë të legjislacionit të Republikës së Kosovës, duhet të ruhen për Republikën e Kosovës dhe assesi nuk guxojnë të zbulohen në një shtet tjetër, në këtë rast pranë presidentit Vuçiq”, ka thënë Miftaraj.
Se a ekzistojnë elemente të veprës penale dhe a kanë iniciuar hetime për një gjë të tillë, KOHA e ka pyetur edhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës, por KGJK-ja s’ka kthyer përgjigje.
Por, gjatë së premtes KGJK-ja ka lëshuar një njoftim për media ku ndër të tjera, është thënë se vendimi për suspendim është marrë pa asnjë ndikim politik dhe se nuk e paragjykon përfundimin e procedurës në raport me gjyqtaren Stevanoviq.
Në shenjë proteste ndaj vendimit të KGJK-së për suspendim të saj, ministri serb i Qeverisë së Kosovës dhe njëherësh kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, paralajmëroi bojkotim të punës në institucionet kosovare, deri në kthimin e gjyqtares në punë.
“Prej sot, në shenjë përkrahjeje për kryetaren e ndërruar të Gjykatës, Liliana Stevanoviq, prej sot edhe ata janë suspenduar dhe do të jetë kështu deri në momentin kur zonja Stevanoviq të kthehet në punë. Pra prej sot, edhe ne përfaqësuesit politikë që punojnë në institucionet kosovare, po ashtu jemi suspenduar dhe nuk do të punojmë a të kryejmë detyra, derisa sa nuk e kthejnë në punë kryetaren e Gjykatës”, u shpreh Rakiq.
Për pjesëmarrjen e saj dhe bojkotin që po ua bëjnë institucioneve, Miftaraj thotë se është e çuditshme edhe heshtja e bashkësisë ndërkombëtare.
“Është e çuditshme heshtja e partnerëve ndërkombëtarë, BE-së SHBA-së Britanisë së madhe, në radhë të parë lidhur me pjesëmarrjen e tyre në këtë takim dhe pastaj edhe veprimet e fundit që po shohim sot, ku kemi bojkotim nga ana e Gjykatës Themelore në Mitrovicë”, ka thënë Miftaraj.
Suspendimi i gjyqtares, Aleksandër Vuçiq ka thënë se është bërë me urdhër të kryeministrit Albin Kurti.