Arbëri

QUINT-i: Vendimi i Kosovës për zgjedhjet e Serbisë minon aspiratat evropiane

Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës për qëndrimin që të mos lejojë organizimin e zgjedhjeve të Serbisë brenda territorit të Kosovës. Në një reagim të përbashkët të mërkurën, shtetet e QUINT-it kanë thënë se ky vendim do të minojë aspiratat evropiane të Kosovës.

“E kuptojmë se është e drejtë e Qeverisë së Kosovës të vendosë nëse duhet apo jo të japë leje për organizimin e zgjedhjeve të një shteti tjetër. Përderisa e vlerësojmë gatishmërinë e Serbisë për të gjetur një zgjidhje, me zhgënjim të madh marrim shënim vendimin e Qeverisë së Kosovës për të refuzuar propozimin konstruktiv të prezantuar nga QUINT-i. Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka dështuar të demonostrojë përkushtimin e saj ndaj parimit të mbrojtjes të së drejtave civile e politike të të gjithë qytetarëve, përfshirë atyre të grupeve minoritare. Një sjellje e këtillë nga Qeveria e Kosovës s’është në linjë me vlerat dhe parimet tona dhe i minon aspiratat e tyre evropiane”, thuhet në reagim të QUINT-it.

Kanë thënë se teksa kanë mirëpritur rreshtimin e Kosovës krah Perëndimit për çështjen e luftës në Ukrainë, nga Kosova pritet që të ruajë edhe vlerat dhe përgjegjësitë për ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe të respektojë proceset demokratike e të jetë e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve.

QUINT-i ka thënë po ashtu se pret që Qeveria e Kosovës të punojë për të shtensionuar situatën dhe të punojë me konstruktivitet në dialogun me Serbinë.

LEXO EDHE:

“Kjo është kyçe në arritjen e progresit drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse të normalizimit që do ta zhbllokonte përfundimisht perspektivën evropiane të Kosovës”, thuhet në reagim teksa QUINT-i ka bërë thirrje për përmbajtje nga deklaratat dhe veprimet që mund të çojnë në eskalim të situatës.

Zgjedhjet e përgjithshme të Serbisë do të mbahen më 3 prill. Kosova ka refuzuar ta lejojë organizimin e zgjedhjeve brenda territorit të Kosovës, pa marrëveshje ndërshtetërore. Kjo është refuzuar nga Serbia që po e sheh si njohje të shtetit të Kosovës. Një ditë më herët Bashkimi Evropian shprehu keqardhje për vendimin e Kosovës, ndërsa të mërkurën kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria s’ka marrë vendim për mosmbajtje të zgjedhjeve, por se po kërkohet vetëm marrëveshje.

“Bashkimi Evropian nuk ka qenë i lumtur me faktin që unë nuk kam pranuar që gjithçka të përmbyllët përbrenda një lëtërshkembimi të sugjeruar ndërmjet zyrtarëve ndërlidhës. Unë jam i bindur që letërshkëmbimi duhet të jetë mes Qeverie së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë. Kështu siç është, çështja ka marrë një kahje tjetër, ne kemi shprehur keqardhjen tonë për më shumë se kaq nuk çfarë të bëjë”, ka thënë ai.