Arbëri

Krasniqi e quan të paaftë Qeverinë Kurti

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në një konferencë për media të martën, ka thënë se ajo çfarë i përshkruan ditët e Qeverisë Kurti, është paaftësia.

Ai ka thënë se karakteristikë e kësaj qeverie është kostoja që ajo ka prodhuar për qytetarët e Kosovës.

Krasniqi ka deklaruar se këto nuk janë konstatime vetëm të opozitës, por edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Qëndrimi i gjatë në opozitë dhe kritikat e LVV-së e patën sjellë një perspektivë të zymtë mbi institucionet tona duke i quajtur dy dekada të plota si vite të shkuara dëm dhe duke avulluar të gjithë progresin e Kosovës në fazën e zhvillimit të shtetësisë së Kosovës. Ata bënë një diskurs propagandistik se VV-ja kishte mbetur e vetmja alternativë për popullin, gjë që prodhoi edhe rezultatin e 14 shkurtit të vitit 2021. Si rezultat i kësaj paaftësie, Republika e Kosovës për një vit qeverisje të kryeministrit Kurti, nuk figuron as në hartën e investimeve strategjike, as në hartën e rëndësisë politike rajonale, e as në hartën e partneritetit të qëndrueshëm me partnerët dhe aleatët strategjik të Kosovës”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se programi i Qeverisë Kurti përgjithësisht ka qenë një lojë fjalësh, duke shtuar se aty ku nuk ka qenë lojë fjalësh, ka qenë kopje planesh.

“Aty ku nuk ka qenë kopje planesh, ka qenë nocione librash. Por program të qëndrueshëm që vendos hapa konkret për zhvillim ekonomik, për rend dhe ligj, për punësim, për integrim e mirëqenie, nuk ka pasur”, ka shtuar ai.

Sipas tij, ka vetëm disa elemente programore, të cilat "sot shërbejnë më së miri për ta parë e për ta matur paaftësinë e kësaj qeverie në zbatimin e programit".

Krasniqi ka përmendur edhe shifrat, që i ka quajtur të frikshme, të muajit dhjetor e janar, duke thënë se ishin rreth 100 mijë të rinj e të reja që prisnin vizën për t'u larguar nga Kosova.

Krasniqi ka përmendur edhe, siç ka thënë ai, dështimet e Qeverisë në depolitizim të institucioneve, realizimin e vettingut në drejtësi e prokurori, polici dhe inteligjencë, zbatimin e programit për banim të përballueshëm, themelimin e Fondit Sovran dhe Bankës Zhvillimore, ndërmarrjen e hapave konkret për caktimin e pagës minimale, rritjen flagrante të energjisë dhe çmimeve etj.

Sipas Krasniqit, Kurti ka ardhur në pushtet duke e shtruar politikën si ngjarje transformuese “a në fakt për një vit, jo vetëm që s’ka transformuar asgjë, por është konvertuar në një politikan procedural pa kurrfarë vizioni politik e shtet ndërtues”.

“Një vit i plotë, kur asnjë hap, as vendim, as veprim, as lobim nuk është ndërmarrë, qoftë për njohje të reja të shtetit të Kosovës, qoftë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka përmendur edhe refuzimin e gazit amerikan, duke thënë se ky është një nga vendimet më regresive që janë marrë në emër të institucioneve të Kosovës në dy dekada.