Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Ballkani perëndimor është në rrezik për shkak të mosdistancimit të Serbisë nga veprimet e Rusisë në Ukrainë. Në një intervistë për “BBC Radio” të hënën, Kurti ka thënë se i sheh me shqetësim lidhjet e forta të Beogradit me Kremlinit.
Sipas tij, Kremlini ka interes që pas pushtimit të Ukrainës ta përhapë konfliktin diku tjetër e ta transferojë destabilizimin dhe pasigurnë në kontinentin evropian.
Kurti ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, dëshiron të ulet në takim me presidentin amerikan Joe Biden dhe jo me atë ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Ai dëshiron të ulet me Presidentin Biden, dhe kjo është shumë shqetësuese sepse do të kërkoheshin kriza të tjera në kontinentin evropian ku ka mundësi të shkaktohet konflikt dhe luftë në mënyrë që ta copëtojnë Evropën ashtu siç bënë para më shumë se 70 viteve”, ka thënë Kurti.
Duke komentuar lidhjet e fuqishme të Serbisë me Rusinë, Kurti ka mohuar deklarimet e Putinit se nga Kosova po dërgohen luftëtarë për të luftuar përkrah ukrainasve.
“Asnjë qytetar nga Kosova nuk ka shkuar për të luftuar në Ukrainë. Ata po thonë lloj-lloj dezinformatash dhe pretendimesh të rreme sepse kjo është pjesë e luftës së tyre hibride. Pra, lufta hibride është plot gënjeshtra, plot narrativa të rreme dhe lufta hibride kthehet në luftë. E kemi parë me Ukrainën. Lufta hibride nuk e zëvendëson luftën, është vetëm faza përgatitore e saj, dhe ne duhet të shqetësohemi shumë për të gjitha këto akuza të rreme, sepse janë shenja paralajmëruese për atë që do të ndodhë më pas. Më lejoni t'ju rikujtoj se Presidenti Putin u bë Kryeministër i Federatës Ruse vetëm dy muaj pas çlirimit të Kosovës në vitin 1999, dhe gjithashtu disa muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt 2008, ai aneksoi Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë. Pra, Ballkani Perëndimor është në rrezik për shkak të mosdistancimit të Beogradit nga Kremlini”, ka thënë Kurti, sipas njoftimit nga kryeministria.
Kurti ka thënë se NATO-ja dhe populli i Evropës duhet ta ndihmojnë popullin ukrainas, “sepse ata po e mbrojnë të gjithë kontinentin”.
Serbia është i vetmi vend në rajon që nuk ka vënë sanksione ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.