Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar policin nga Ukraina i cili derisa po shërbente në Kosovë, më 18 mars 2008 vdiq.
Kurti në Facebook ka treguar për ngjarjen që ndodhën atë vit pak pas shpalljes së pavarësisë, kur gjykatat në veri të Mitrovicën u bllokuan nga anëtarë të komunitetit serb, dhe vetëm me ndërhyrjen e njësive speciale të policisë ndërkombëtare dhe trupave të forcave paqeruajtëse, u liruan nga kontrolli i serbëve.
“Sot u mbushën 14 vjet nga vdekja e Ihor Kinal. Ai ishte polic nga Ukraina që po shërbente në Kosovë. Një muaj pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, Gjykata e Qarkut dhe ajo Komunale në veri të Mitrovicës u uzurpuan nga rreth 300 protestues të armatosur serbë. Për lirimin e këtyre objekteve, kishin ndërhyrë forcat ndërkombëtare të KFOR-it dhe të UNMIK-ut. Protestuesit që vinin nga radhët e strukturave ilegale të Serbisë, atë ditë kishin me vete armë dhe mjete të tjera shpërthyese me të cilat sulmuan policët. Ndër 88 ushtarakë e zyrtarë policorë, të KFOR-it e të UNMIK-ut, të cilët u plagosën apo lënduan ishte edhe polici i UNMIK-ut nga Ukraina, Ihor Kinal. Me 18 mars 2008, një ditë pas sulmit, 26 vjeçari ukrainas vdiq si pasojë e plagëve të rënda të marra me 17 mars”, ka shkruar Kurti.
Ndërsa, ka thënë se varri i tij është në fshatin Ternopil të Ukrainës dhe se në shkollën e tij të mesme, i është ngritur një memorial përkujtimor në nderim të shërbimit të tij në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Shprehu solidaritet me popullin e Ukrainës në luftën kundër agresionit rus.
Kurti ka thënë se sulmi më 17 mars 2008 u krye nga “grupe kriminale të strukturave ilegale të sigurisë së Serbisë”.
“Ky rast më vonë është trajtuar edhe nga EULEX-i i cili pat ngritur aktakuzë ndaj gjashtë të dyshuarve: Marjan Ilinçiq, Zoran Çaviq, Dragan Milojeviq, Aleksandar Aksentijeviq, Nebojsha Joviq dhe Avni Krasniqi”.