Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, u shpreh se vendi i saj “nuk do të lejojë me kurrë dëbimin e serbëve, kudo në rajon”, njofton gazeta "Danas".
Bërnabiq këtë “mesazh kërcënues” e dha të enjten mbrëma, në një ceremoni për ngjarjet e marsit 2004 që ndodhën në Kosovë.
Sipas Serbisë, në atë periudhë u dëbuan shumë serbë nga Kosova.
"Përderisa dëbimi zgjati, forcat ndërkombëtare nuk bënë mjaftueshëm për të siguruar jetën dhe pronën e serbëve në Kosovë dhe qeveria e atëhershme (e Serbisë v.j.) nuk ndërmori asnjë hap që kërkohet me Kushtetutë”, tha Bërnabiq.
Në ngjarjet që ndodhën në mars të vitit 2004, sipas statistikave u vranë më shumë shqiptarë sesa serbë. U vranë 19 persona, 11 shqiptarë e 8 serbë. U plagosën gati 1.000 veta.
Këtë dhe djegien e disa objekteve fetare, Serbia e ka shfrytëzuar vazhdimisht për propagandë kundër shtetësisë së Kosovës.