Lirika Agusholli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), deklaroi se partitë politike në Kosovë financohen nëpërmjet fondeve publike dhe fondeve private. Publike janë ato që ndahen nëpërmjet procesit të demokratizimit, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ndërsa fondet private janë të anëtarësisë apo donacione nga jashtë.
Sipas Agushollit, çdo vit, ndahen rreth 4.2 milionë euro, ndërsa ato ndahen bazuar në partinë që ka më së shumti deputetë në Kuvend.
“Kjo në bazë të suksesit në zgjedhjet paraprake, partia që siguron më shumë ulëse, i ndahet më shumë buxhet. Kjo është praktikë edhe në vendet perëndimore, që financohen nga buxheti i shtetit”, tha në anën tjetër Fitim Mulolli, ekspert në kompaninë POLCON, që merret me fushat e mbështetjes së fushatave zgjedhore.
“Partitë politike janë të detyruara çdo vit i dorëzojnë raportet financiare se ku i kanë shpenzuar këto para. Problemi qëndron se s’kemi një proces të rregullt të auditimit. Herën e fundit s’është bërë raporti, partitë i kanë dorëzuar raportet por s’është bërë e ditur se a janë të sakta. Kjo si rrjedhojë se zgjedhjen e auditorit për t’i audituar këto raporte e bën vet Kuvendi. Zakonisht nuk ka vullnet politik për ta çuar përpara këtë proces”, tha tutje ai në "Sonte Java me Rronin"
Megjithatë, sipas Mulollit, në rast se ka keqpërdorime apo gabime në këto raporte, shqiptohen edhe dënime e sanksione, mirëpo dënimi është më i ulët se vlera që kanë fituar nëpërmjet keqpërdorimit.