7 perditesime
22:12

Gjukanoviq thotë se ka mosbesim serioz ndaj Vuçiqit

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq ka folur edhe për qëndrimin e shtetit që ai udhëheqë kundrejt iniciativës “Ballkani i Hapur”.

Ai ka thënë se arsyeja pse nuk janë pjesë e Ballkanit të Hapur ndër të tjera është edhe sepse në këtë rajon tashmë ekzistojnë më shumë se 30 iniciativa rajonale.

Sipas tij, në vend që ta përdoret kapaciteti i iniciativave ekzistuese, vazhdimisht po krijohen iniciativa të reja.

“Këtu tani po bëhet përpjekje që të realizohet diçka që është shumë qartë e definuar me anë të iniciativave siç janë Procesi i Berlinit dhe iniciativa CEFTA. Këto iniciativa janë nën ombrellën e qendrave të fuqishme ndërkombëtare të fuqisë. Pra, Procesi i Berlinit është i lansuar në Berlin, siç ia thotë emri, dhe është nën mbikëqyrjen e fuqishme të BE-së. Nëse më pyesni, nëse do të bashkëpunoj, nëse do të vendos a duhet t’i besoj më shumë iniciativës që është e lansuar nga Berlini e Brukseli apo iniciativës së ngjashme të lansuar nga rajoni ynë, e cila nuk nënkupton se atë që duam ta realizojmë e realizojmë duke i respektuar standardet evropiane, por duke i respektuar disa standarde gjysmevropiane, disa standarde ballkanike, pra nuk ka kurrfarë dyshimi se përherë do të jem në anën e iniciativës që është nën mbikëqyrjen e BE-së. Pse? Për shkak se iniciativat rajonale në fakt i përjetojmë si shanse të mira dhe si një kohë të mirë për përgatitjen e të gjitha vendeve tona për jetë në bashkësinë e Evropës së bashkuar”, ka shtuar ai.

Arsyeja e dytë sipas tij është edhe për shkak se kanë “mosbesim serioz kundruall disa prej autorëve të kësaj iniciative”.

Gjukanoviq ka thënë se konkretisht ka mosbesim serioz ndaj presidentit të Serbisë.

“Pse po ndodh ky mosbesim? Nuk është ky kurrfarë qëndrimi antiserb. Përkundrazi. Ne gjithashtu gjatë historisë kemi pasur marrëdhënie të gjata dhe përmbajtjesore e miqësi me Serbinë, por mjerisht ka pasur shumë shpesh etapa kur Serbia e ka shpërfaqur ambicien e pafshehur që ta aneksojë Malin e Zi, duke e trajtuar si shtet serb, duke u përpjekur që ta mohojë identitetin kombëtar malazias, pra, duke i trajtuar malazezët si serbë për ta dëshmuar paarsyeshmërinë e ekzistimit të shtetit të pavarur malazias”, ka thënë ai.

Ai ka komentuar gjithashtu edhe ndërlidhjen që i është bërë për tentativë atentatin ndaj presidentit serb.

Gjukanoviq ka thënë se bëhet fjalë për një sajim të ashpër, një sajim që do të duhej përdorur për homogjenizimin e publikut të brendshëm.

“Siç keni parë në zhvillimin e mëtutjeshëm të këtij rrëfimi, nuk është shfaqur asnjë dëshmi, siç nuk është paraqitur as edhe një shkronjë që do të mund ta vërtetonte një sajim të këtillë, ngase është përnjëmend një sajim absolut. Unë jam president i shtetit të Malit të Zi e jo atentator dhe jo dikush që është organizator i akteve terroriste në këtë rajon. Unë jam president i Malit të Zi që e ka treguar dhe që e tregon edhe sot synimin më të mirë për të bashkëpunuar me të gjitha shtetet, përfshirë edhe Serbinë, deri në masën që këtë Serbia e mundëson, krejt deri kur idetë e nacionalizmit serbomadh që kanë qenë të vendosura nëpër disa institucione si Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve, nuk i kanë vënë në pikëpyetje marrëdhëniet tona të mira ndërshtetërore”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se nacionalizmi serbomadh nga selitë e adresave më të larta shtetërore të Serbisë do që Mal të Zi të mos ketë.

“E Mali i Zi, logjikshëm, do që të zgjasë, do që të jetë shtet i përgjegjshëm, fqinj i përgjegjshëm, një faktor i përgjegjshëm i bashkëpunimit rajonal, tashmë është anëtar i NATO-s dhe do që të bëhet pjesë e BE-së. Dhe, natyrisht që do të mbesim të hapur edhe për bashkëpunimin e ardhshëm, atëherë kur Serbia përsëri të kthehet nga vetja dhe të fillojë që të merret me të ardhmen e saj evropiane, të ndalojë së rrezikuari sovranitetin dhe stabilitetin e shteteve fqinje”, ka thënë ai.

22:05

Gjukanoviq: Abazoviqi për kryeministër, dëshmi e emancipimit të Malit të Zi

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka mandatuar Dritan Abazoviqin që ta formojë Qeverinë e re në Mal të Zi.

Gjukanoviq ka thënë se Abazoviqi kryeministër është dëshmi e emancipimit të Malit të Zi.

“Po të mos e shihja si kryeministër nuk do ta propozoja për mandatar, kjo është e qartë. Nuk ka kurrfarë dileme se Partia Demokratike e Socialistëve ka thënë se është e gatshme që ta mbështesë qeverinë e pakicës, se nuk e parapëlqen këtë model, se e parapëlqen qeverinë politike, porse jemi të vetëdijshëm që në këtë moment është vështirë të krijohet konsensusi rreth kësaj zgjidhjeje dhe që për këtë arsye jemi të gatshëm që ta mbështetim edhe qeverinë e pakicës me vetëm një kusht. E ky është që të gjitha qëllimet politike, prioritetet politike të kësaj qeverie duhet të jenë në përputhje me politikën thelbësore proevropiane e proatlantike të Malit të Zi. Nëse do të jetë kështu, atëherë nuk ka kurrfarë dyshimi se edhe në momentin e zgjedhjes së qeverisë së pakicës në parlament ne do ta përkrahim një qeveri të tillë. Rrethana të cilën ju e përmendni, se Dritan Abazoviqi është kandidat për kryeministër në Mal të Zi, e vërteton një gjë që jua thashë më parë. Mali i Zi po emancipohet seriozisht si shoqëri”, tha Gjukanoviq në intervistë ekskluzive për KOHËN.

Ai ka thënë se siç është sot Abazoviq mandatar, në të ardhmen mund të jetë edhe një boshnjak, kroat apo serb.

“Pra, këto vende nuk janë të rezervuara për malazezët. Mali i Zi është shtet i qytetarëve, përbrenda tij funksionojnë shumë parti, si qytetare ashtu edhe nacionale. U tregua në një moment se është e pamundur që të formohet qeveria pa pjesëmarrjen e lëvizjes qytetare URA, në krye të së cilës është Dritan Abazoviqi, dhe unë konsideroj se është një cilësi e Malit të Zi që askush nuk e ka vënë në pikëpyetje. Supozoj se e keni regjistruar që as partitë që veten e shihnin si parti nacionaliste serbe, nuk e kanë vënë në pikëpyetje Abazoviqin shkaku i përkatësisë së tij kombëtare. Ata e vënë në pikëpyetje faktin nëse ai e respekton vullnetin zgjedhor të qytetarëve nga zgjedhjet e 30 gushtit. Të tjerët e vënë në pikëpyetje punën nëse partia që ka 4 mandate deputetësh mund ta japë kryeministrin. A mundet ajo, me katër mandatet e saj, ta garantojë stabilitetin e kësaj qeverie të pakicës”, tha Gjukanoviq.

22:00

Gjukanoviq: Mali i Zi e njohu shtetësinë e Kosovës, pasi është i vetmi shikim i drejtë kah e ardhmja

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, në një intervistë ekskluzive për KOHËN, ka thënë se është interes plotësisht legjitim i Kosovës që të jetë pjesë e integrimeve evropiane dhe euroatlantike.

Gjukanoviq ka thënë se është me rëndësi që në dialogun Kosovë – Serbi të dy palët të tregojnë përgjegjësi dhe të përpiqen të zhvillojnë dialog drejt një zgjidhje përfundimtare.

Gjukanoviq ka thënë se Mali i Zi e ka pranuar pavarësinë e Kosovës pasi beson se është i vetmi shikim i drejtë kah e ardhmja.

“Pra, për mua është interes plotësisht legjitim i Kosovës që të jetë pjesë e integrimeve evropiane dhe euroatlantike. Jam thellësisht i bindur se problemi kyç i këtij rajoni është jostabiliteti i tij dhe kam thënë shumë herë se kemi shumë dëshmi, si në historinë e shkuar ashtu edhe në këtë më të re, që tregojnë se ne nuk kemi mekanizma mjaftueshëm të besueshëm, vetëm mekanizma rregullues për stabilitetin tonë rajonal. Për këtë arsye duhet ta forcojmë stabilitetin nëpërmjet procesit të integrimit. Dhe për këtë arsye, për mua është një shenjë e barazimit midis stabilitetit të Ballkanit Perëndimor dhe integrimit të tij evropian dhe euroatlantik. Në rastin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është shumë me rëndësi që të dyja palët të tregojnë përgjegjësi kundruall dialogut që ka nisur dhe të përpiqen që këtë dialog ta zhvillojnë deri në një zgjidhje përfundimtare. I qartë është qëndrimi i Malit të Zi. Mali i Zi e ka pranuar pavarësinë e Kosovës për shkak se ishte i bindur, si atëherë ashtu edhe tani, se ky është i vetmi shikim i drejtë kah e ardhmja”, tha Gjukanoviq.

E sa i përket thirrjeve që ka pasur edhe në Mal të Zi për tërheqjen e njohjes së Kosovës, Gjukanoviq ka thënë se edhe në Mal të Zi sot mund të dëgjoni zëra që thonë se ka Rusia të drejtë që e ka sulmuar Ukrainën.

“Edhe sot do të dëgjoni zëra të caktuar nga Mali i Zi që do të thonë se Rusia ka të drejtë që e ka sulmuar Ukrainën. Dhe këta zëra të njëjtë supozoj se janë ata që mendojnë se duhet tërhequr njohjen e Kosovës. Ju kam thënë, është duke vazhduar procesi i emancipimit. Nëse dikush ka menduar se për 15 vjet do të arrijë emancipim të njëqindpërqindtë në shoqërinë malazeze, ai nuk ka menduar realisht. Pra, sot edhe në shoqërinë tonë, edhe në shoqërinë e Kosovës, sikurse të Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, ekzistojnë njerëz që i pranojnë më ngadalë këto ide emancipuese. Më e rëndësishmja është që të dëshmojmë, e mendoj që ne në Mal të Zi jemi dëshmitarë se ky proces po zhvillohet, se prej viti në vit po sjell përfitime të caktuara. Kështu që, unë nuk kam kurrfarë dyshimi se shumica në Mal të Zi është jo vetëm në anën e integrimit evropian dhe euroatlantik, por është në anën e marrëdhënieve jashtëzakonisht të mira me vendet fqinje, si dhe bashkëpunimit të mirë rajonal. I kthehem porosisë të cilën kam dashur ta përçoj lidhur me këtë marrëdhënie që ekziston midis Kosovës dhe Serbisë. Unë konsideroj se është shumë me rëndësi që si në njërën ashtu edhe në adresën tjetër të ndodhë kthimi sa më i hershëm në dialog konstruktiv, ngase të gjithë duhet të dimë se në finale nuk mund të ketë zgjidhje tjetër të këtij problemi pos marrëveshjes politike. Vetëm shtrohet pyetja se sa kohë do të humbim, sa komplikime do të bëjmë dhe a do të mund ta sjellim veten në gjendjen e iracionalitetit të atillë që përsëri ta rrezikojmë stabilitetin dhe potencialisht t’i rrezikojmë jetët e njerëzve”, tha Gjukanoviq.

21:57

Gjukanoviq: Kërcënimet s’janë mënyrë e zgjidhjes së problemeve

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq ka deklaruar se kërcënimet nuk janë mënyra më e mirë për t’i zgjidhur problemet.

Këto deklarata ai i ka bërë pasi është pyetur nga KOHA për qëndrimin e Serbisë dhe kërcënimet kundrejt përpjekjeve të Kosovës për ta përshpejtuar anëtarësimin në NATO.

“Prej atyre që i kam thënë e keni të qartë se gjuhën e kërcënimit assesi nuk e miratoj dhe e di se kjo nuk është mënyra se si zgjidhen problemet në marrëdhëniet e ndërsjella. Kjo ka qenë gjithmonë, sikurse tani në rastin ruso-ukrainas, vetëm një rrugë e komplikimeve dhe e krijimit të traumave, të cilat vetëm sa do ta vështirësonin kthimin në terren politik dhe në ardhjen deri te zgjidhja që gjithherë mund të jetë vetëm politike. Pra, për mua është interes plotësisht legjitim i Kosovës që të jetë pjesë e integrimeve evropiane dhe euroatlantike. Jam thellësisht i bindur se problemi kyç i këtij rajoni është jostabiliteti i tij dhe kam thënë shumë herë se kemi shumë dëshmi, si në historinë e shkuar ashtu edhe në këtë më të re, që tregojnë se ne nuk kemi mekanizma mjaftueshëm të besueshëm, vetëm mekanizma rregullues për stabilitetin tonë rajonal”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se në rastin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është shumë me rëndësi që të dyja palët të tregojnë përgjegjësi kundruall dialogut që ka nisur dhe të përpiqen që këtë dialog ta zhvillojnë deri në një zgjidhje përfundimtare.

 

21:52

Gjukanoviq flet për vizitën e paralajmëruar në Kosovë

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, në një intervistë ekskluzive për KOHËN ka treguar se ai do ta vizitojë Prishtinë gjatë muajve të ardhshëm. Ai ka thënë se i gëzohet vizitës në Kosovë.

“Tashmë është paralajmëruar vizita ime në Prishtinë dhe do të zhvillohet gjatë muajve të ardhshëm. Ky do të thosha se është një kalendar i rregullt bisedimesh në nivelin më të lartë. Unë deri më tani nuk kam qenë për vizitë zyrtare në Kosovë, i gëzohem kësaj vizite. Dua që në këtë mënyrë t’i kontribuojmë mirëkuptimit tonë më të mirë ndërshtetëror, që me anë të këtij mirëkuptimi t’i kontribuojmë bashkërisht stabilitetit më cilësor dhe perspektivës më të qartë evropiane të rajonit, si dhe që natyrisht në këtë mënyrë t’i japim kontribut traditës së marrëdhënieve të mira malazeze-shqiptare”, tha Gjukanoviq.

Ai ka folur edhe për marrëdhëniet e tij me liderët kosovarë, presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti.

“Marrëdhënia është shumë, shumë e mirë. Pra, është marrëdhënie e vlerësimit, e respektimit të ndërsjellë, e fqinjësisë së mirë. Kudo që të takohemi e jemi takuar dhe kemi biseduar në shumë vende, do të thosha se ka qenë një marrëdhënie tejet shembullore. Jam i sigurt se si krerë të të dyja shteteve do t’i kontribuojmë besimit më të mirë midis shteteve tona dhe se do ta vazhdojmë këtë praktikë dhe traditë. Kur është puna te vizita ime potenciale në Serbi, për këtë tash për tash nuk mund të bëhet fjalë. E keni të qartë, për këtë nuk mund të bëhet fjalë, shkaku i marrëdhënieve të dëmtuara politike midis dy shteteve tona gjatë viteve të fundit. Sa i përket gatishmërisë sime, ajo është gjithmonë absolute, që të bisedoj me të gjithë, veçanërisht me fqinjët, veçmas me shtetet e rajonit sipas parimeve të qarta politike. Dhe, nuk jam prej atyre që zgjedhin bashkëbisedues dhe as nuk jam unë ai që ia dëshiron Serbisë këtë apo atë president. Serbia e zgjedh presidentin e vet, le ta zgjedhë me fat ashtu siç dëshirojnë qytetarët e Serbisë”, tha Gjukanoviq.

21:48

Gjukanoviq: Anëtarësimi në NATO shumë, shumë i rëndësishëm

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq ka folur edhe për rëndësinë e anëtarësimit në Nato.

Ai në intervistën e dhënë Kohës ka deklaruar se nuk e befason politika shtetërore e Kosovës dhe insistimi për anëtarësim në NATO.

Gjukanoviq ka shtuar se për aq sa i njeh rrethanat politike në Kosovë, përcaktimet janë të forta që Kosova në të ardhmen të bëhet pjesë e NATO-s dhe e BE-së.

“Besoj që ky edhe është rezultat i sigurt i zhvillimit të ardhshëm të politikës shtetërore të Kosovës. Nga përvoja jonë, do t’ju thosha se anëtarësimi në NATO është shumë, shumë i rëndësishëm, jo vetëm për shkak të situatave të tilla nëpër të cilat po kalojmë, por veçmas nga përvoja e këtyre pesë vjetëve të fundit, kur thjesht me sy mund të shihej stabiliteti më i besueshëm në Mal të Zi sesa më përpara dhe kur mund të dallohej besimi më i madh i investuesve të huaj, veçanërisht nga hapësira euroatlantike, kundruall Malit të Zi si destinacion për investime”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se Mali i Zi për vite të tëra ka qenë shteti me marrëdhënien më të mirë të investimeve direkte të huaja krahasuar me GDP-në. Dhe, sipas tij, falë besimit dhe rrjedhës së tillë të investimeve, Mali i Zi është zhvilluar shumë intensivisht.

“Kështu që, nuk ka kurrfarë dyshimi se anëtarësimi në NATO ofron përfitime serioze si në aspektin e sigurisë, të stabilitetit politik, të sigurisë së qytetarëve, por edhe në aspektin e zhvillimit ekonomik”, ka deklaruar ai.

21:46

Gjukanoviq: Serbia ishte platformë për interesat ruse në Ballkanin Perëndimor

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq në një interviste ekskluzive për Kohën ka thënë se Serbia në një masë të konsiderueshme ka ndihmuar në jetësimin e atyre që ishin interesa ruse në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që ka qenë një lloj platforme për realizimin e interesave ruse në këtë rajon.

Ai tutje ka shtuar se Mali i Zi është aq sa është, por, siç por duke e marrë shembull rastin e Ukrainës, Gjukanoviq ka thënë se tregohet se sa armë e fortë është kur e mbroni shtëpinë tuaj, kur e mbroni lirinë tuaj, vlerat tuaja.

“Kjo përherë është një pozitë shumë më e fuqishme kundruall pozitës së shtetit që krejt këtë e shkakton. Mali i Zi gjatë viteve të shkuara ka treguar se megjithëse në aspektin territorial dhe me popullatë është shtet i vogël, ia ka dalë që t’i mbrojë vlerat e veta dhe ia ka dalë që ta mbrojë të drejtën e vet për zgjedhje të lirë të së ardhmes”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se duhet ditur se Mali i Zi dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë të fuqizuara me një intensitet dhe cilësi të re të unitetit evropian.

Sipas tij, kurrë në një afat më të shkurtër nuk ka ndodhur një homogjenizim i këtillë në kontinentin evropian dhe një vendosmëri e tillë përbrenda Aleancës së NATO-s, duke shtuar se beson se sot të gjithë janë më të fuqizuar për ta vazhduar mbrojtjen e vlerave të përnjëmendta si në shtëpitë e tyre, ashtu edhe në shtëpitë e tjera në të cilat këto vlera janë të sulmuara.

“Për këtë arsye edhe e përsëris se Ukraina nuk po e mbron vetëm veten, Ukraina po e mbron sigurinë evropiane, vlerat evropiane dhe prandaj duhet ta kemi këtë parasysh, andaj duhet që ta mbrojmë fuqimisht këtë rezistencë heroike të Ukrainës që të tregohet se modelet anarkike politike që Rusia po i përdor në relacion me Ukrainën megjithëkëtë e paraqesin të shkuarën dhe nuk mund të çojnë deri tek rezultati që Rusia qartazi e dëshiroi në këtë rast. Mendoj që këtë duhet ta shfrytëzojmë të gjithë si një lloj trimërie që të mund ta përforconim edhe sistemin tonë të vlerave, unitetin tonë dhe që në këtë mënyrë të siguronim garanci të një të ardhmeje të qartë dhe të suksesshme të secilit popull dhe shtet evropian”, ka shtuar ai.

21:31

Gjukanoviq: Situata në Ukrainë mund të çojë drejt destabilizimit të ri në Ballkan Perëndimor

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka thënë se situata në Ukrainë mund të çojë drejt një destabilizimi të ri në Mal të Zi.

Gjukanoviq në një intervistë ekskluzive për KOHËN ka thënë se Rusia po mundohet ta realizojë doktrinën e shkatërrimit në gjithë kontinentin e Evropës. Gjukanoviq ka thënë se është logjike që Rusia ta shfrytëzojë Ballkanin Perëndimor, si terren qasës drejt BE-së.

“Kur them është zgjedhje logjike, kjo ngase mjerisht këtu pikësëpari kemi edhe më tutje shtete të dobëta e me kapacitete të dobëta, dhe, e dyta, ka mjaftueshëm banorë me ndjenja proruse. Andaj, Rusia fatkeqësisht po luan ashpër me këta njerëz dhe me emocionet e tyre, duke u ofruar vetëm që të jenë faktorë destruktiviteti kundër vetë shtëpisë së tyre, ngase nëse pranoni që të jeni në interesin e kujtdo dhe faktor destruktiviteti i Evropës, ju e minoni vetë shtëpinë tuaj. Ne jemi evropianë. Gjithashtu duhet vërejtur se Rusia nuk po ofron alternativë. Mbase do të ishte interesante që të shohim se kundruall idesë së integrimit evropian e euroatlantik ekziston ndonjë ide tjetër konkurruese gjeopolitike, porse nuk ka. Ideja është “le të shkojmë të gjithë së bashku në shkatërrim kundër unitetit evropian dhe kundër sistemit evropian të vlerave”. Mjerisht, një pjesë e njerëzve në Ballkanin Perëndimor e pranon këtë lloj manipulimi. Në Mal të Zi këtë manipulim e kemi njohur qysh më 2016, kur këtu u organizua grusht shtet për parandalimin e shtegut të Malit të Zi drejt BE-së dhe NATO-s, dhe në Mal të Zi kjo ide anti-evropiane dhe njëherësh antieuroatlantike përfundimisht është mundur. Por, përsëris, në Ballkanin Perëndimor ka edhe më tutje tokë të pëlleshme për këtë lloj destruksioni”, ka thënë Gjukanoviq.

Gjukanoviq ka thënë se Rusia në vitin 2016 është munduar ta ndalë që Mali i Zi të hyjë në NATO.

“Rusia në vitin 2016 është përpjekur që ta ndalë Malin e Zi që të mos hyjë në NATO dhe në këtë nuk ka pasur sukses. Pra, askush, mbase edhe ai më naivi, nuk do të mund të supozonte që Rusia do të hiqte dorë. Rusia edhe më tutje po e zhvillon këtë politikë të saj dhe ajo tani po tenton që këtë doktrinë të shkatërrimit, në rastin e Malit të Zi, supozoj edhe të Maqedonisë Veriore, ta tregojë të suksesshme, ashtu që do ta destabilizonte një vend që është anëtar i NATO-s. Pra, këtë gjithsesi e kemi parasysh dhe po përpiqemi që me anë të forcimit të njëfarë rendi institucional në shtet ta sigurojmë fortësinë e domosdoshme të rezistencës ndaj kësaj përpjekjeje të jofunksionalizimit të jashtëm të institucioneve tona”, tha Gjukanoviq.