Arbëri

Qytetarët që nuk i deklarojnë të ardhurat do të ndëshkohen

Qytetarët të cilët nuk i deklarojnë të ardhurat e tjera personale, përveç pagës, do të ndëshkohen nga Administrata Tatimore e Kosovës. Për deklarimin e këtyre të ardhurave vjetore do të ketë kohë deri më 31 mars të këtij viti. Por, nga ATK-ja nuk kanë treguar ndonjë procedurë konkrete se si do t’ua marrin tatimin qytetarëve që nuk i deklarojnë të hyrat

Prishtinë, 13 mars - Deri më 31 mars qytetarët do të kenë afat për t’i deklaruar të ardhurat personale vjetore në Administratën Tatimore të Kosovës, në të kundërtën do të ndëshkohen.

Sipas nenit 48 të Ligjit për tatimin në të ardhura personale, deklarimi ka qenë obligues që nga viti 2015, por ekzekutimin e këtij neni ATK-ja ka vendosur ta nisë në mënyrë strikte që nga ky vit.

Përveç pagës, sipas ATK-së, qytetarët do të jenë të detyruar të deklarojnë edhe të ardhura të tjera.

“Shembull: Kur një person përveç pagës ka edhe të hyra të tjera, si të ardhura nga qiraja, të ardhura nga shitja e pasurive të luajtshme dhe paluajtshme, apo të ardhura të tjera, është i obliguar t’i deklarojë përmes formularit të ri për individin”, thuhet në përgjigjen e Administratës Tatimore të Kosovës.

Por rreth asaj se për çka tjetër konkretisht duhet të deklarohet, qytetarët kanë ngritur pyetje të shumta, të cilave ditëve në vijim ATK-ja ka paralajmëruar se do t’u përgjigjet me sqarime.

Të ardhurat e deklaruara do të tatohen me normat tatimore në Kosovë. Deri në 80 euro për muaj qytetarët nuk paguajnë tatim në të ardhurat personale. Mbi 80 deri në 250 euro qytetarët paguajnë 4 për qind tatim në muaj. Mbi 250 deri në 450 paguajnë 8 për qind, derisa mbi 450 e tutje 10 për qind.

Por, nga ATK-ja nuk kanë treguar saktësisht se si do t’i shtyjnë qytetarët t’i deklarojnë të ardhurat e tjera e as se si do t’i verifikojnë ata që kanë e nuk deklarojnë.

Megjithatë, për ata që nuk i përmbushin këto detyrime tatimore janë paralajmëruar ndëshkime.

“Përmes softuerëve elektronikë që ATK-ja posedon, si dhe burimeve të tjera të informatave identifikohen mospërmbushësit tatimorë. Në vazhdimësi ATK-ja bën përpjekje që të vetëdijesojë të gjithë tatimpaguesit që vullnetarisht t’i kryejnë detyrimet tatimore sipas ligjit, ndërsa në rastet e mospërmbushjes së detyrimeve ndëshkimi për mosdeklarim të të ardhurave individuale nga individi është i njëjtë me atë sikurse i bizneseve, vetëm se dallojnë vlerat e ndëshkimeve”, thuhet tutje në përgjigjen e Administratës Tatimore të Kosovës.

E sipas ekonomistit Erton Bega, shteti nuk duhet ta përdorë forcën për detyrimin e qytetarëve për deklarim, meqë ky ligj ka ekzistuar shumë kohë më parë dhe për të nuk ka pasur vetëdijesim të qytetarëve.

“Unë nuk pres që qytetarët në masë të madhe do t’i përgjigjen kësaj, prandaj do të ishte e pakuptimtë edhe ndëshkimi i tyre në numër kaq të madh të realizohej për shkak që nuk kanë deklaruar këtë vit të ardhurat personale sipas kërkesave ligjore, meqenëse ligji ekziston qe disa vjet dhe asnjëherë nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Këtu përgjegjëse mund të jetë Qeveria, e cila nuk ka bërë mjaftueshëm në aspektin e vetëdijesimit të qytetarëve për obligimet që kanë ndaj shtetit lidhur me të ardhurat personale”, ka thënë Bega.

Deklarimi i tatimit në të hyrat personale bëhet nëpërmjet formularit elektronik në webfaqen e ATK-së.