Arbëri

Krasniqi viziton Thaçin e Veselin në Hagë: Presim kthimin triumfues të tyre sa më parë

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka vizituar në Hagë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Krasniqi në një postim në Facebook ka shkruar se vizita ishte mjaft emocionale për të dhe se pret një kthim triumfues të tyre në Kosovë sa më parë.

“Të fortë dhe krenarë për rrugëtimin e tyre për lirinë e Kosovës, ashtu si përherë, i pashë dy liderët historikë të Kosovës dhe të PDK-së, Hashim Thaçin e Kadri Veselin, gjatë një vizite tejet emocionale që pata në Hagë. Ashtu siç besojmë në drejtësi, të gjithë besojmë se ata, bashkë me shokët e tyre çlirimtarë, po mbahen padrejtësisht atje, sepse lufta mbrojtëse e popullit të Kosovës ishte e drejtë dhe e pastër, andaj edhe e presim kthimin e tyre triumfues sa më parë. Të fala të përzemërta!” – ka shkruar Krasniqi.

Thaçi e Veseli janë në paraburgim në Hagë, ndërsa akuzohen për krime lufte.