Arbëri

Ankesa për faturat e shkurtit, qytetarët thonë se çmimet janë të papërballueshme

Dy ditë më parë ka filluar shpërndarja e faturave të energjisë elektrike, një pjesë e së cilës është llogaritur me tarifa të reja.

Pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk pranoi kërkesën e KESCO-së që të shtyhet zbatimi i vendimit për muajin mars, kjo e fundit ka përdorur një metodologji për matjen e konsumit për muajin shkurt.

Në disa fatura që kanë publikuar qytetarët në rrjetet sociale shihet se konsumi është ndarë me tarifa të vjetra dhe të reja.

Por, në njërën nga to shihet se 800 kilovatë janë llogaritur me tarifa të vjetra, ndërsa 1.135 kilovatë janë llogaritur me tarifa të reja, edhe pse për këtë muaj janë vetëm 9 ditë që do të duhej të llogariteshin me tarifa të reja.

Qytetarët ankohen se faturat janë tejet të larta dhe pothuajse të papërballueshme për një pjesë të tyre.

“Muajin e kaluar kam paguar 100 euro, tash më ka ardhur me pagu 230 euro shumë është. E papërballueshme është. Rrogë s’ka, një pension e kam. Në banesë jemi aty nuk mundësh me u ngroh me tjetër”, ka thënë një qytetar.

“Muajin që ka shkuar më kanë ardhur 220 euro. Edhe hiq pa rrymë kur jam nxeh nën 100 euro nuk kam mbetur dimrin. Tash sa është hyp nuk po e këqyri se na bie kresë sa është bërë. Nuk është e përballueshme. Pensioni 200 euro, çka me ba me to. Ku është mbeturina, ku është uji”, ka thënë Hamdi Beka, qytetar.

“Diferenca diku është 12 euro, por nuk është e përballueshme me rroga tona. Ka rritje që popullata nuk mund të përballojmë, edhe pse jemi mësuar që të kemi fatura të lira, por me këto rroga nuk mund të përballojmë assesi”, ka thënë Enver Bersha.

Por se si do të reflektojnë tarifat e reja në fatura të qytetarëve, sipas Lulzim Sylës, njohës i sektorit energjetik, do të vërehet tek në muajin mars.

“Një fakt tjetër që duhet të përmendet është se në tarifën e lartë vërehet se janë të ngritura çmimet, por shumë varet nga konsumi se si do të reflektojë fatura në çmimin përfundimtar të faturës, për shkak se kjo do të duhej të ndikonte edhe në qasjen ndaj konsumit dhe në kursim, për shkak të ngritjes së çmimit të energjisë për kilovat orë, me qëllim që fatura të jetë më e lirë të ketë kursim të energjisë elektrike”, ka thënë Syla.

Të martën do të mbahet një protestë për kundërshtimin e tarifave të energjisë. Këto protesta i ka quajtur të drejta deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

Por, i pyetur nëse do të marrin pjesë ka thënë se kjo i takon Kryesisë së LDK-së të vendosë.

“Nuk ka kauzë më fisnike, më qytetare që të kundërshtohet një vendim i tillë me mjete kushtetuese përfshirë edhe protesta për të dalë kundër një vendimi të tillë që është plotësisht i pabazuar. Dhe këtë e kemi kundërshtuar edhe në seancë. Pra, nuk kanë lënë derë tjetër përveç protestave”, ka thënë deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti,

ZRRE-ja ka marrë vendim që nga 9 shkurti të hyn në fuqi tarifa të reja, në bazë të së cilave konsumatorët që kalojnë pragun mbi 800 kilovat do të paguajnë 12 centë për tarifën e lartë dhe 5.9 centë për tarifën e ulët, për çdo kilovat të shpenzuar mbi këtë prag.