Kontribut për shtetin e krenari që bartin uniformat kanë shprehur tre zyrtarë të cilët bartin uniformën e zjarrfikësve, të Policisë dhe të infermierit. Në “Java sonte me Rronin”, Behar Shala zjarrfikës në Prishtinë, Fadil Hoti rreshter në Polici dhe Safet Hoti infermier në QKUK kanë treguar sfidat në punën e tyre, momentet interesante, emocionuese e edhe ato të krenarisë në 14 vjet shtet.
Shala ka thënë se e ka zgjedhur këtë profesion për shkak se i ka pëlqyer uniforma qëkur ka qenë adoleshent. Tashmë i ka mbushur 21 vjet përvojë pune, ndërsa ka thënë se profesionin e zjarrfikësit e ka zgjedhur për të kontribuar për shtetin.Megjithatë ka thënë se për gjithë këtë periudhë, gjendja e rëndë e punës ka mbetur pothuajse e njëjtë.
Rreshteri në njësinë speciale operative, Fadil Hoti, ka thënë se uniformën e Policisë e ka zgjedhur si vazhdimësi e kontributit të tij të mëhershëm para lirisë. Ditën e shpalljes së Pavarësisë, Hoti e ka kujtuar si ditë të ftohtë e shumë me përgjegjësi.
Infermieri Safet Hoti ka nisur rrëfimin e tij me kushtet e vështira të stafit shëndetësor. Ka thënë se tashmë e ka nisur edhe ta mësojë gjuhën gjermane e që, sipas tij, do të varet nga Ligji i Pagave, nëse do të ketë arsye të lërë Kosovën apo jo, pas 18 vjetësh përvoje pune. Punën e tij e konsideron profesion të shenjtë. Ka thënë se e ka nisur sepse e ka dashur humanitetin dhe se ka ëndërruar gjithmonë të jetë njeri që u ndihmon të tjerëve.
Të rënda kushtet e punës i ka konsideruar edhe zjarrfikësi Shala i cili ka thënë se edhe në këtë komunitet ka zyrtarë që kanë lënë Kosovën për punë të tjera jashtë vendit. Madje edhe për punë më të rënda. Për uniformat e punës, Shala ka kërkuar nga shteti që të ketë furnizim më të shpeshtë e më kualitativ.
Rreshteri i Policisë ka treguar detaje për mënyrat e operimit. Ka thënë se policia e ka rregullin që të nisë vazhdimisht me qasje më të butë, ndërsa ka treguar se edhe kur mund ta përdorë një polic armën. “Kur rrezikohet jeta ime, e kolegut apo qytetarit të pafajshëm”, ka thënë ai. Ai ka treguar edhe për një ushtrim të veçantë. E ka konsideruar çështje etike provimin e sprejit në ushtrime. Ka thënë se kjo bëhet që të dihet se me çka ballafaqohet dikush tjetër.
Duke komentuar rastet e pazakonta, Shala ka thënë se si zjarrfikës kanë arritur të përmirësojnë ndjeshëm nuhatjen. Sipas tij, vetëm me nuhatje zjarrfikësit mund të dinë a po digjet kablloja, tekstili apo druri. Ka thënë se ka pasur raste kur janë ftuar për tym, por kur kanë shkuar, problemi ka qenë vetëm djegia e gjellës.
Infermieri Hoti sfidën kryesore të punës e ka cilësuar kohën në pandemi. Ka thënë se ka pasur raste kur një muaj s’i ka takuar prindërit e fëmijët.
Ndërkaq rreshteri i Policisë rastin më të ndjeshëm ka thënë se e ka përjetuar në Shqipëri kur kishte ndodhur tërmeti. Sipas tij, ka qenë rasti i parë kur e kanë parë gjendjen nga afër dhe kanë menduar për ndihmë, por kjo ka qenë e paarritshme.
Zjarrfikësi ka thënë se në një rast i është dashur të dilte jashtë rregullave të përgjithshme dhe t’ia jepte oksigjenin një personi që ishte në katin e pestë të një objekti që digjej.