Juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari, deklaroi se lëshimet që u bënë në disa mediume vendore janë shkelje etike, mirëpo sipas saj, kjo u mor shkas për sulmin ndaj mediave dhe gazetarëve.
Kusari deklaroi në Interaktiv të KTV-së se për ditë me radhë u pa një gjuhë agresive e përdorur nga institucionet ndaj gazetarëve, derisa reagimin e organizatave ndërkombëtare ndaj sulmeve e cilësoi shumë serioze.
“Letra është shumë serioze dhe normalisht, organizatat ndërkombëtare, që e njohin shumë mirë situatën në Kosovë, s’është e lehtë të reagojnë sepse pasojat politike janë të rënda”, deklaroi Kusari.
Ajo e sqaroi si është nisur i tërë sulmi ndaj mediave, derisa potencoi se një zhargon i përdorur nga mediumet lidhur me raportimet për shpenzimet e karburanteve, nuk duhet të përdoret nga asnjë gazetar.
“Preferenca ime do të ishte që një zhargon i tillë të mos përdoret kurrë, nga asnjë gazetar. Sepse edhe nëse përdoren fjalë me kolegun, jashtë duket si një lloj qëndrimi editorial për të dëmtuar dikë pa të drejtë. Është shkelje etike, nuk do të duhej të përdorej. A përdoret në gazetari, po, dhe nuk duhet të na vjen marre ta pranojmë. Në baza ditore shohim deputetë që përdorin gjuhë të tmerrshme, një institucion i rëndësishëm në vend. A është bazë që një parti politike dhe disa institucione ta shfrytëzojnë këtë shkelje, që gazetarët të portretohen si armiq, nuk është”, tha Kusari.
Juristja e medias theksoi se artikujt që janë publikuar për shpenzimet e karburanteve nuk kanë pasur pasaktësi, mirëpo saj, në këtë mes janë dy skandale.
“Skandali i parë është çështja e karburanteve... Skandali i dytë është çmimi i energjisë elektrike. E kuptoj që është çështje në nivel global, por u shndërrua në skandal, sepse doli që është premtim që VV-ja s’mund ta mbajë. U shfrytëzua ky lëshim i mediave që të orientohej debati te mediat. Një gjë e tillë është e papranueshme, kjo e ka nxitur reagimin ndërkombëtar”.