Tarifat e reja të energjisë kanë hyrë në fuqi prej sot. Por KESCO nuk e ka të qartë se si do ta llogarisë energjinë e konsumuar para datës 9 shkurt, kur kanë qenë në fuqi tarifat e vjetra.
Në faturën e radhës, që qytetarëve do t’u arrijë më 20 shkurt, përfshihet rryma e konsumuar që prej 20 janarit dhe aty vetëm 11 ditë preken nga tarifat e reja.
Por nuk është e qartë se si do të bëhet ndarja e këtyre 11 ditëve në faturën e konsumatorëve.
Nga KEDS-i kanë thënë se i janë kërkuar sqarime ZRRE-së lidhur me faturimin e këtij muaji.
“Lidhur me këtë çështje kemi kërkuar interpretim nga ZRRE-ja, sikurse do të veprojmë konform rregulloreve në fuqi”, ka thënë Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS-it.
Instituti për Politika Zhvillimore ka kërkuar nga ZRRE-ja që të sigurohet se ka ndarje të qartë midis kohës së faturimit me çmimoren e re dhe me atë të vjetër.
“Me shtrenjtimin e fundit të çmimit të energjisë konsumatorët ka shumë mundësi që prej kohës së tarifimit të fundit, nga datat 22 deri më 27 janar 2022 e deri sot, 9 shkurt 2022, të kenë shpenzuar energji të mjaftueshme sa për të kapërcyer kufirin e bllok- tarifës prej 800 këh. Kjo, sepse marrë parasysh temperaturat shumë të ulëta këto ditë, është shumë e mundshme që një pjesë e madhe e konsumatorëve të kenë shpenzuar më shumë se 800 këh për ngrohje me energji elektrike dhe të tarifohen me shifra marramendëse për energji elektrike në fund të muajit”, është thënë në një komunikatë të Institutit për Politika Zhvillimore.
Nga INDEP-ja kanë thënë se intervenimi i menjëhershëm i ZRRE-së është jashtëzakonisht i nevojshëm në mënyrë që të sigurohet se po zbatohen rregullativat në vend.
ZRRE-ja të martën ka aprovuar strukturën e re tarifore. Sipas saj, çdo kilovat i konsumuar mbi pragun prej 800 kilovatë orëve do të tarifohet me çmimin prej 12.52 centësh për tarifën e lartë dhe 5.90 centësh për tarifën e ulët.
Kryeministri Albin Kurti ka arsyetuar vendimin e ZRRE-së.
“Me këtë vendim është zhvendosur pragu i bllok-tarifës. Shumën fillestare prej 75 milionë euro e kemi ngritur në 100 milionë. Besoj se kjo shumë e ka zvogëluar tarifën. Për konsumin deri në 800 kilovat nuk ka rritje të çmimit të energjisë. Për konsum 850 orë dallimi mes faturës së vjetër deri te ajo e re do të jetë minimale, një rritje deri në 5 për qind. Në rast të konsumit deri në 1 mijë kilovat orë dallimi do të jetë 17 për qind. Gjatë muajit të ftohtë, 70.4 e familjeve nuk do të preken nga rritja e çmimit të energjisë ose do të preken minimalisht”, ka thënë Kurti.
Por reagime ka pasur nga Presidenca. Zyra e Presidentes ka bërë të ditur se nuk janë pranuar në tërësi komentet e saj në ZRRE.
“Edhe pse rritja e tavanit të bllok-tarifës nga 600 këh në 800 këh paraqet progres në krahasim me propozimin fillestar, pasi që do të lehtësojë pjesërisht barrën e rritjes së çmimit të energjisë elektrike për qytetarët e Kosovës, hezitimi për të rikthyer 3 bllok-tarifa, siç ka qenë praktika deri më vitin 2017, është një vendim kundër shpërndarjes akoma më të drejtë e më të barabartë të barrës së gjithmbarshme të shtrenjtimit të rrymës”, kanë thënë nga Presidenca e Kosovës.
Vendimi për shtrenjtimin e tarifave të rrymës për ata që kalojnë konsumin mujor mbi 800 kilovatë orë prek rreth 130 mijë familje apo 22 për qind të popullatës.