Arbëri

Emisari i Britanisë së Madhe për Ballkanin nesër takohet me Kurtin e Osmanin

I dërguari special i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, të enjten do të takohet me kryeministrin Albin Kurti.

Zyra e Kryeministrit i ka thënë KOHËS se takimi do të mbahet pasdite, derisa nuk është treguar ora e saktë.

"Për agjenden do t'ju njoftojmë nesër", ka thënë Rozafa Kelmendi, zëdhënëse e Qeverisë.

Gjithashtu, presidentja Vjosa Osmani do të takohet me emisarin Peach në orën 11:00, ka njoftuar Zyra e Presidentes.

Është bërë e ditur se do të ketë komunikatë për media.

Paraprakisht i dërguari i Britanisë së Madhe e ka vizituar Serbinë.

Atje është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me kryeministren Ana Bërnabiq e me drejtorin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Në Serbi, Sir Stuart Peach ka thënë se në rolin e ri si i dërguar për Ballkanin Perëndimor do të bashkëpunojë me përfaqësuesin e BE-së për të mbështetur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë drejt gjetjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme.

Gjatë takimit me emisarin britanik Petkoviqi i është ankuar për sjelljen e institucioneve të Kosovës duke e përmendur këtu moslejimin e mbajtjes së referendumit të Serbisë e moszbatimin e Marrëveshjes së Asociacionit.