Arbëri

Shoqëria civile dhe qytetarët e shohin të dëmshëm rritjen e çmimit të rrymës

Shoqëria civile shpreh shqetësimin e thellë me vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për strukturën e re tarifore.

Sipas tyre, zhvendosja e bllok-tarifës nga 600 në 800 dhe mosaplikimi i shkallëzimit të tretë tarifor nuk i kontribuon aspak efiçiencës së energjisë.

Aktivisti i protestës kundër shtrenjtimit të çmimit të rrymës, Dibran Hoxha, ka theksuar se kjo do të jetë e papërballueshme për shumicën e qytetarëve.

“Propozimet e tyre i ka bërë vendime. 800 kilovatë për orë nuk është kurrfarë zgjidhje e problemit për qytetarët e Kosovës, sepse një familje, një ekonomi familjare në Kosovë e tejkalon shumën e 800 kilovatëve gjatë dimrit. Logjika e bllok-tarifës është që ta stimulojë konsumatorin të kursejë e si ka mundësi ta kursejë energjinë elektrike kur ti e rrit tarifën e ulët s’po flasim për të lartë, e bën prej 2.89 në 5 sa ishte”, ka thënë ai.

Instituti për Politika Zhvillimore vlerëson se subvencionimi selektiv dhe jolinear vetëm sa do ta rrisë konsumin energjetik në vend. Burim Ejupi i ka bërë thirrje Rregullatorit që menjëherë ta rishikojë këtë vendim dhe të ofrojë zgjidhje nga prizmi profesional dhe jopolitik.

“Më të prekurit janë ata që ngrohen me rrymë. Me fjalë të tjera, janë ato ndërtesat e reja, njerëz që jetojnë në ndërtesa, domethënë ajo shtresa e mesme që jeton nga një rrogë në shërbimin civil ose që punon në sektorin privat që dihet sa është mesatarja neto diku rreth 400 euro neto. Gjatë dimrit ata do të përgatiten që rreth 20 për qind të të hyrave, 15 deri në 20 për qind të të hyrave, t’i shpenzojnë për energji elektrike”, ka thënë ai. 

E qytetarët janë irrituar nga vendimi i fundit. Ata kanë kritikuar ekzekutivin për mosndërhyrje.

“Kjo është katastrofë. Duhet të gjendet qare. Jo sikur serbëve që u bëhet sa të doni harxhoni sepse është falas. Por të ketë shkallë të shpenzimeve”, është shprehur Zaim Istrefi.

“Me pension s’mund ta paguaj kurrë. Me 90 euro a të paguaj rrymën a mbeturinat... s’di si mund të jetojmë”, ka deklaruar Ilmi Rrahmani.

“Qeveria po e sheh në çfarë kushte po jeton populli. Jemi kundër kësaj”, ka thënë Faik Rusinovci.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë e ka publikuar kalkulatorin për llogaritjen e konsumit të energjisë elektrike sipas tarifave të reja.