Arbëri

Gjykata e tenderëve, 10 muaj pa bord, mbi 200 milionë euro të bllokuara

Mbi 200 milionë euro janë të bllokuara si pasojë e moszgjedhjes së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, teksa 626 ankesa të operatorëve ekonomikë janë në pritje të shqyrtimit. Procesi i emërimit të anëtarëve është kthyer në pikën zero, pasi që ka dështuar në Kuvend gjatë muajit të kaluar. Hulumtues nga shoqëria civile e cilësojnë jetik emërimin e anëtarëve të rinj, teksa ngrenë shqetësime se situata mund ta rrisë mundësinë për abuzime me kontrata

Mbi 200 milionë euro janë të bllokuara në institucionet e ndërmarrjet publike, si pasojë e moszgjedhjes së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit tash e gati 11 muaj. Për qindra tenderë, bizneset kanë paraqitur ankesa e institucionet kanë ndalur derdhjen e miliona eurove, ngase ato duhet që në bazë të Ligjit për Prokurim të shqyrtohen nga bordi i saj. Kësisoj, me qindra afate ligjore për vendim rreth ankesave janë tejkaluar.

“Nga data 30 mars 2021, kur OSHP-ja ka mbetur pa bord, ankesat që kanë mbetur pa u shqyrtuar janë gjithsej 626 nga viti 2021. Ekspertët i kanë shqyrtuar të gjitha këto ankesa dhe kanë nxjerrë aktet përcjellëse për të gjitha këto lëndë, të cilat janë pa vendime në mungesë të bordit. Afatet ligjore për vendimmarrje deri më sot kanë kaluar për rreth 600 ankesa”, shkruhet në përgjigjen e OSHP-së.

Kontratat që kanë mbetur në pritje të vendimit ndërlidhen me investime dhe produkte e shërbime të nevojshme për institucionet dhe qytetarët.

Për këtë arsye, Diana Metushi-Krasniqi, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka thënë se emërimi i bordit është jetik.

“Është bërë goxha një kohë e gjatë që nuk jemi në gjendje ta emërojmë një bord për një institucion që luan një rol vital si në qeverisje, në nivelin qeverisës, si në nivelin e mirëqenies së qytetarit, duke qenë që prokurimi publik direkt ndikon te mirëqenia e qytetarit përmes investimeve kapitale edhe shërbimeve të cilat i marrin, por edhe në aspektin qeverisës, meqë domethënë gjithçka pak a shumë është me vonesa”, ka thënë Metushi-Krasniqi.

Autoritetet publike, siç ka thënë ajo, në kohë kur Gjykata e tenderëve s’ka bord, shohin më shumë mundësi për lidhje e prishje të kontratave sipas dëshirave të tyre dhe pa e pasur frikën se OSHP-ja do t’ia rrëzojë vendimin.

“Në të shumtën e rasteve në kontratat e mëdha kanë mbetur peng. Tash pak është ka telashe (v.j. me kontratat e tjera) për shkak që e kemi vërejtur në disa raste të ndryshme, që autoriteteve kontraktuese pak a shumë u është dhënë mundësia që t’ua japin kontratat atyre që duan, e atyre që nuk duan, t’ua bllokojnë duke mos i vazhduar kontratat”, ka thënë Metushi-Krasniqi.

Mungesa e bordit, sipas saj, hap mundësi të ndryshme të abuzimit me kontrata me vlerë më të vogël.

“Sidomos në kontratat me vlerë më të vogël, autoritetet kontraktuese vendosin të shkojnë përpara me dhënien e kontratave kundrejt Ligjit për Procedurën Administrative, i cili parasheh disa afate dhe nëse brenda një afati të caktuar nuk ka një përgjigje, merret si (përgjigje) pozitive dhe vazhdohet tutje”, ka thënë Metushi-Krasniqi.

Mundësi tjetër për abuzim hapet pasi autoritetet publike lidhin kontrata emergjente.
“E kjo sidomos emergjenca shëndetësore apo emergjenca në rastet e ndryshme: furnizim me ushqime apo me diçka tjetër. Të gjitha këto po vijnë për shkak të një ngecjeje institucionale për të emëruar një bord, i cili do t'i shqyrtonte këto probleme”, ka thënë Metushi-Krasniqi.

Herën e fundit përzgjedhja e anëtarëve të bordit dështoi pasi deputetët e pushtetit e pamundësuan kuorumin. Shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se pas konkursit publik bëhet përsëri intervistimi i kandidatëve e pastaj votohet në Kuvend. “Ne e kemi potencuar në seancë arsyen për mosvotim të propozimit të kaluar. Votimi bëhet në grup, sipas përzgjedhjes së panelit zgjedhor dhe ne si grup parlamentar nuk kemi qenë të bindur me disa propozime në kuadër të grupit. Procesi është kthyer në fazë të konkursit dhe pasi të aplikojnë, votohet për komisionin zgjedhor në seancë dhe pastaj ata intervistojnë kandidatët që plotësojnë kushtet të shërbejnë në OSHP dhe listën finale prapë ia sjellin Kuvendit”, ka thënë Kusari-Lila. Ajo megjithatë nuk ka treguar Kuvendi i ka pranuar emrat e kandidatëve. Qeveria ka njoftuar se është rihapur e mbyllur konkursi për kryetar dhe anëtarë më 24 dhjetor, gjatë së cilit proces kanë aplikuar 25 kandidatë.