Arbëri

Zekaj: Kosova ka dështuar në konfiskimin e pasurisë së përfituar në mënyrë të kundërligjshme

Ylli Zekaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se Kosova ka dështuar në fushën e konfiskimit të pasurisë së përfituar në mënyrë të kundërligjshme.

Por, sipas tij, ky dështim nuk ka ardhur si rezultat i mungesës së bazës ligjore, por si rezultat i mungesës së vullnetit të akterëve të sistemit të drejtësisë.

“Aktualisht ne kemi dy sisteme të konfiskimit, sistemi tradicional përmes dispozitave të Kodit Penal dhe sistemin e avancuar sipas Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë së Përfituar me vepër penale, i cili ligj është aplikuar vetëm në raste përjashtuese”, ka thënë ai në emisionin “Betimi për Drejtësi” në KTV.

Zekaj ka deklaruar se është e rëndësishme është që të fuqizohen mekanizmat aktualë të konfiskimit dhe jo që të shkohet me një mekanizëm të tretë përderisa kanë dështuar dy mekanizmat paraprakë, duke shtuar këtu se edhe sistemi i drejtësisë konsiderohet se ka politika të lehta të dështimit.

“Është paradoksale se si Ministria e Drejtësisë që po synon ta jetësojë procesin e vetingut dhe të njëjtën kohë këtij sistemi që nuk i beson, po ia m’veshë edhe një kompetencë këtij gjyqësori. Për këto arsye, IKD vazhdimisht ka konstatuar se Kosova nuk është e gatshme për këtë sistem të konfiskimit”, ka thënë ai.