Arbëri

Profesorët në misione diplomatike, rrezikohen programet në UP

Descriptive Text

Qeveria e Kosovës ka emëruar në shërbimin diplomatik disa nga profesorët e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Angazhimi i personelit akademik në diplomaci ka vënë në rrezik programet studimore, bartës të të cilave mund të jenë të emëruarit. Drejtuesit e Universitetit të Prishtinës thonë se numri i profesorëve të angazhuar jashtë vendit mbetet i vogël. Por nëse numri rritet atëherë, sipas tyre, mund të ketë pasoja në mbarëvajtjen e studimeve

Për të evituar mbylljen e programit master në Departamentin e Sociologjisë, Universiteti i Prishtinës duhet të gjejë zëvendësimin e një profesori, më së largu deri në muajin tetor. Kjo meqë profesori Sabri Kiçmari është angazhuar ambasador në Japoni. Edhe profesorë të tjerë të këtij fakulteti janë në procedurë të marrjes së posteve diplomatike. Nita Luci, profesoreshë e Departamentit të Antropologjisë, është njëra nga të propozuarat.

“Jam propozuar për ambasadore e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Norvegjisë. Në këtë fazë jam në pritje të ftesës për intervistë nga Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, kjo pasi që sesioni i fundit u anulua në mungesë të kuorumit. Ndihem e nderuar vetëm për propozimin që më është bërë, dhe do të ishte nder edhe më e madhe mundësia që ta përfaqësoj vendin dhe shërbej për të mirën e saj”, ka thënë ajo.

Anton Vukpalaj, një tjetër profesor i Fakultetit Filozofikut, ka konfirmuar ftesën për t’u bërë pjesë e diplomacisë, por thotë se nuk i kanë treguar për postin e propozuar.

“Unë në fakt kam pasur një ftesë para disa muajve që të angazhohem në diplomaci, por e kam refuzuar. Nuk më është thënë se për cilin post bëhet fjalë, meqenëse nuk kam qenë i interesuar të shkoj. Sidoqoftë, kjo çështje ka përfunduar me kaq. Kjo besoj se u përgjigjet pyetjeve tuaja edhe sa u përket programeve/akreditimit”, ka thënë ai.

Burimet e KOHËS kanë përmendur edhe emrat e dy profesorëve të Shkencave Politike. Bekim Baliqi përmes telefonit ka thënë shkurtimisht se s’është në dijeni, ndërsa Arben Hajrullahu nuk e ka pohuar e as mohuar propozimin për angazhimin e tij në shërbimin diplomatik. 

“Që nga kthimi im në Kosovë në 2005, e po ashtu edhe kohëve të fundit, ka pasur e ka ide e shkëmbime mendimesh se ku e çfarë do të mund të kontribuoja për të mirën e vendit dhe shoqërisë. Këtë gjë besoj që të paktën deri në një masë veç e kam arritur me punën time në Universitetin e Prishtinës. Për më shumë jam i lumtur të konfirmoj se Dega e Shkencës Politike, në krye të së cilës shërbej që nga tetori 2020, në qershor 2021 ka arritur me sukses të akreditoj tri programe, një BA dhe dy MA, dhe akreditimi i tyre është i siguruar për tri vitet në vijim”, ka thënë Arben Hajrullahu, profesor i Shkencave Politike.

Udhëheqja e Universitetit thotë se deri më tani nuk ka lëvizje të mëdha të profesorëve drejt diplomacisë. Megjithatë, nëse ky trend shënon rritje, atëherë, sipas prorektorit Elton Bahtiri, mund të rrezikohen programet studimore.

“Programet studimore ku brenda programit ka numër të kufizuar të stafit në marrëdhënie të rregullt të punës si profesor asistent dhe në thirrje të lartë, ai program studimor nëse nuk mund të mbulohet nga resurset e brendshme mund të pësojë. Individët e tillë duhet ta vendosen në peshore nëse përfitimi është më i madh për individin apo për institucionin dhe shoqërinë nga përzgjedhja e një pozite të shërbyesit në një mision diplomatik apo në një institucion të arsimit të lartë”, ka thënë prorektori për zhvillim dhe cilësi në UP.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme kanë thënë se procesi i emërimit është konfidencial. Kjo ministri ka lutur KOHËN që të shmangë publikimin e emrave të përveçëm.

Përveç Sabri Kiçmarit, që është emëruar së fundi ambasador në Japoni, në fund të vitit të kaluar në Holandë është emëruar edhe Dren Doli. Të dy i kanë ngrirë pozitat e tyre në universitet.