Zyra e Rregullatorit për Energji nuk ka dhënë datë se kur do të dalë me raportin final për strukturën e re tarifore. Nga Rregullatori kanë thënë se janë duke i shqyrtuar komentet që kanë marrë dhe se faturimi me tarifat e reja do të vendoset në seancën e Bordit. Rinora Gojani nga “Balkan Green Foundation” i vlerëson të dobishme komentet që janë dërguar te Rregullatori, porse thekson se në raport me situatën, pushteti është dashur të ketë dakordim të plotë për rekomandimet dhe të mos krijonte konfuzitet
Komentet e palëve të interesit lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike janë në proces të shqyrtimit e të vlerësimit nga Zyra e Rregullatorit për Energji. Atyre do t’ua kthejë përgjigjet atëherë kur do ta përpilojë edhe raportin final në lidhje me strukturën e re tarifore. Por, se kur do të hartohet ky raport Rregullatori nuk ka caktuar datë.
Në një përgjigje për KOHËN, nga ZRRE-ja nuk kanë treguar saktësisht as se kur do të nisë faturimi me tarifat e reja meqë ende nuk ka vendim. Megjithatë, në raportin konsultativ të ZRRE-së, ishte propozuar që tarifat e reja të zgjasin nga 1 shkurti i këtij viti deri më 31 mars të 2023-s.
“Ekspertët e ZRRE-së janë në proces të vlerësimit të komenteve dhe të përgatitjes së raportit përfundimtar, ku do të përfshihen edhe përgjigjet ndaj komenteve të pranuara. Ne do t’ju njoftojmë me kohë lidhur me publikimin e raportit përfundimtar. Sa i përket vendimmarrjes për tarifa, kjo do të vendoset nga Bordi në seancën, e cila do të jetë publike”, kanë thënë nga ZRRE-ja.
ZRRE-ja kishte propozuar fatura me çmime më të larta për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kilovatë për orë energji elektrike. Por, këtij propozimi i janë shtuar komente të shumta nga palët e interesit, ku mes të tjerash është rekomanduar edhe rritje e këtij pragu në 800 e deri në 1.000 kilovatë. Sipas ekspertëve, pragu për shtrenjtim që do të duhej të merrej parasysh nga Rregullatori do të duhej të ishte 800 kilovatë.
Rekomandime të ndryshme sa i përket brezit tarifor kanë dhënë edhe nga Qeveria dhe nga partia në pushtet, porse ato nuk kanë qenë të njëjta.
Rinora Gojani, nga “Balkan Green Foundation” i vlerëson të dobishme komentet që janë dërguar te Rregullatori, porse thekson se në raport me situatën, pushteti është dashur të ketë dakordim të plotë për rekomandimet dhe të mos krijonte konfuzitet.
“Mendojmë që do të duhej të ishte një zë pak më unifikues dhe me një mendim për shkak se janë institucione të cilat qeverisen prej kësaj partie politike. Çka na jep kjo për të kuptuar është që ka një laramani të mendimeve për punën se si mund të jetë struktura tarifore”, ka thënë ajo.
Tarifat e reja, që do të vendosen nga ZRRE-ja, pas marsit të vitit të ardhshëm është propozuar të kthehen në tarifat që kanë qenë. Por, duke marrë parasysh praktikat e deritanishme në Kosovë vlerësohet se ekziston rreziku që një gjë e tillë të mos përfillet. Gojani kërkon që kjo të zbatohet në përpikëri derisa merr shembuj se si në Kosovë ka pasur rritje të jashtëzakonshme të çmimeve, por jo edhe kthim të tyre siç kanë qenë, pas tejkalimit të këtyre situatave.
“Kemi pasur raste në Kosovë kur është bërë rritje e jashtëzakonshme e çmimit të energjisë, sidomos në vitin 2014 kur kishte shpërthim në ‘Kosovën A’. Dhe rritja e energjisë u bë me arsyetimin se kemi mungesë të prodhimit vendor. Por një gjë e tillë nuk u zhbë asnjëherë dhe ngritjet e tjera ndodhën mbi rritjen e jashtëzakonshme që ndodhi një vit përpara. Një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë tanimë”, ka deklaruar ajo.
Propozimet e ZRRE-së për shtrenjtim të rrymës i kanë kundërshtuar partitë politike dhe shoqëria civile edhe me protesta.