Arbëri

Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Financave me propozime të ndryshme për çmimin e rrymës

Dy komente të ndryshme kanë dorëzuar për propozimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për strukturat tarifore të energjisë, Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Financave. Teksa ditë më parë, Ministria e Financave njoftoi për propozimin që blloku i parë tarifor të jetë 1000kWh dhe jo 600 siç ka propozuar ZRRE-ja, Ministria e Ekonomisë e ka propozuar bllok-tarifën prej 800kWh.

Të mërkurën, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka prezantuar dy alternativat që kjo ministri ia ka ofruar ZRRE-së. E para është zgjerimi i brezit tarifor, nga 600kWh në 800kWh, dhe e dyta shtimi i numrit të blloqeve tarifore, “që do të mundësonte përshkallëzimin e tarifave nëpër blloqe dhe përcaktimin e një tarife më të ulët sesa ajo e propozuar aktualisht për konsumin deri në 1000kWh”.

Kjo ministri ka thënë se ZRRE-ja duhet të sigurohet që të shmangë ndërsubvencionimin dhe diskriminimin mes kategorive të konsumatorëve.

Në propozimin e MF-së, ministri Hekuran Murati, pati thënë se propozohet që ZRRE-ja të llogarisë si kontigjencë tek të hyrat maksimale të lejuara shumën prej 40.8 milionë eurove të cilën Gjykata Themelore e pati urdhëruar KEDS-in t’ua kthejë qytetarëve për shkak të pagesave të mëhershme të rrymës në veri.

Propozimi i MF-së ishte që blloku prej 1000kWh të ndahet në 500 gjatë ditës dhe 500 gjatë natës.

Ndërkohë, Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje të hënën i ka propozuar Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që deri në 800 kWh të mos ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike.

Përmes një konference për media, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, deklaroi se grupi i dytë i konsumatorëve që shpenzojnë nga 800 deri në 1 mijë e 400 kWh të kenë një rritje që do të përcaktohet edhe në bazë të subvencionimit të qeverisë.