Arbëri

Escobar dhe Lajçak nesër në Kosovë, shpalosin qëndrimet e tyre për dialogun

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ai i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, nesër pritet të nisin vizitën e tyre në Kosovë. Escobar dhe Lajçak, sipas njohësve të procesit të bisedimeve, përveç vazhdimit të dialogut do të angazhohen edhe në lëvizjen përpara të çështjeve të tjera. Por vazhdimi i bisedimeve me Kosovën derisa në krye të saj është Albin Kurti është duke u parë vështirë i realizueshëm në Serbi.

Tri ditë në Kosovë do të qëndrojnë emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ai i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Në qendër të kësaj vizite pritet të jetë dialogu Kosovë-Serbi.

Sipas Arbër Fetahut, hulumtues në Grupin për Studime Politike dhe Juridike, Escobar dhe Lajçak në Kosovë do të përpiqen që të përgatisin terrenin për një rund të ri të bisedimeve të nivelit të lartë.

“Është vështirë ta definojmë si presion klasik dhe ta paragjykojmë vizitën para se të ndodhë. Gjithsesi, besoj që të dy të deleguarit special do ta kenë në fokus kryesor vazhdimin e dialogut dhe përkushtimin për gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare. Megjithatë, zgjedhjet në Serbi janë një faktor i madh për neglizhencë të këtij procesi nga pala serbe. Besoj që të dy ndërmjetësuesit do ta bëjnë të qartë gatishmërinë e tyre që ky proces të vazhdojë, dhe kjo është normale për palët që mëtojnë ta ndërmjetësojnë dialogun. Por se a do të rritet presioni që dialogu të vazhdojë me temp të shpejtuar para zgjedhjeve në Serbi, kjo është më e diskutueshme, pasi që angazhimi i palës serbe këta muaj do të jetë brenda vendit dhe jo në procesin e dialogimit. Sigurisht këto vizita janë të rëndësishme dhe do të kenë ndikim në krijimin e dinamikave të reja tek palët veç e veç. Besoj se kjo vizitë do shërbejë si njoftim dhe paralajmërim të qëndrimeve të BE-së dhe SHBA-së se çfarë presin nga Kosova dhe Serbia para nisjes se rundit tjetër të negociatave të nivelit të lartë, kurdo që kjo do të ndodhë”, ka thënë Fetahu.

Krahas bisedimeve, sipas Arton Demhasajt, Lajçak dhe Escobar do të provojnë të ushtrojnë ndikimin e tyre edhe në çështje të tjera.

“Me gjasë presioni i zotëri Lajçakut dhe i Escobar-it do të lidhet edhe me çështjen e krijimit të Asociacionit dhe pastaj të ketë një marrëveshje përmbyllëse që do të përfundonte me njohje reciproke”, ka thënë Demhasaj.

Sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës, përmes vizitës, përfaqësuesit e SHBA-së dhe të BE-së do t’ua bëjnë të qartë institucioneve në vend rëndësinë e bisedimeve.

Deputeti Driton Selmanaj thotë se emisarët kanë kuptuar se kryeministri Kurti nuk do të merret seriozisht me këtë temë.

“Vendimet politike nuk janë të lehta, proceset nuk janë të lehta sidomos në këtë fazë që po kalon Kosova, por këto janë cilësitë që e bëjnë një burrështetas t’u dalë ballë problemeve jo të fshihesh qosheve. Unë deri tani po e shoh një kryeministër që po ikën, derisa dikur nuk ka zgjidhje tjetër ose ta dorëzojë krejt pushtetin, ose të ulet aty ku duhet në interes të popullit dhe shtetit të Kosovës”, ka thënë Selmanaj.

Por vazhdimin e bisedimeve, derisa në krye të Qeverisë është Albin Kurti, është duke e parë të vështirë ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Nikola Selakoviq.

“Qëndrimi ynë dhe ajo që nuk ndryshon është se ne jemi gjithmonë të gatshëm të ulemi në tryezën e negociatave dhe të bisedojmë. Por për ne është e qartë se që kur Kurti është në Prishtinë dhe që kur ai pyetet, nuk ka pasur dialog dhe ndoshta nuk do të ketë përderisa ai të vendosë”, ka deklaruar Selakoviq.

Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar pritet të vijnë në Kosovë të hënën për të qëndruar deri më 2 shkurt, datë nga e cila për dy ditë radhazi do të qëndrojnë edhe në Serbi.

Paraprakisht, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor dhe ai i Bashkimit Evropian për dialogun do të takohen në Bruksel.