Korporata Energjetike e Kosovës nuk është audituar tash e 10 vjet nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Edhe më gjatë pa u audituar nga ZKA-ja, 12 vjet, ka mbetur Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës, që njihet ndryshe si KOSTT. Ministria e Ekonomisë është zotuar për shtrëngim rregullash e rigorozitet më të madh në auditimet e brendshme te ndërmarrjet që i ka nën mbikëqyrje.
Ashtu siç kishte premtuar, Zyra e Auditorit ka nisur auditimin e ndërmarrjeve publike.
KEK-u ka 10 vjet që s’është audituar nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Ngjashëm edhe KOSTT, nuk është audituar tash e 12 vjet nga ZKA-ja.
Një nga arsyet për këtë, sipas ZKA-së, është sepse auditori i përgjithshëm i vendos prioritet e veta të auditimit.
Sivjet, sipas ZKA-së, në KEK do të auditohen aktivitetet tenderuese e kontrata të tjera nga viti 2018 deri në vitin 2020.
“Në KEK do të auditohen një numër i kontratave që KEK-u i ka lidhur gjatë viteve 2018-2020, gjegjësisht aktivitetet e prokurimit që kanë çuar deri te nënshkrimi i këtyre kontratave. Këto kontrata janë për furnizime, shërbime dhe punë të kontraktuara me OE të ndryshëm. Objektivë e këtij auditimi është të vlerësojë nëse KEK-u ka qenë efektiv dhe efikas në zhvillimin e aktiviteteve të prokurimit gjatë viteve 2018-2020”, ka thënë ZKA-ja.
Ndërkohë, në KOSTT do të auditohen kontratat e menaxhimi i ndërmarrjes edhe për një periudhë më të gjatë.
“Në KOSTT do të auditohen një numër i kontratave për investime kapitale, të nënshkruara gjatë viteve 2015-2020. Fokus i veçantë do t’i kushtohet mënyrës se si KOSTT e ka bërë planifikimin për investime, që pasohet me aprovim nga ZRRE si rregullator i energjisë. Do të auditohet edhe menaxhimi i aktiviteteve të prokurimit që kanë çuar në nënshkrimin e këtyre kontratave, procesi i mbikëqyrjes së zbatimit të tyre, si dhe mënyrën se si KOSTT e ka vlerësuar efektin e investimeve që i ka bërë përmes këtyre kontratave. Objektivi i auditimit në KOSTT është të vlerësojmë nëse menaxhmenti i ndërmarrjes publike KOSTT është siguruar se projektet kapitale për vitet 2015-2021 janë prioritizuar dhe planifikuar në mënyrë të duhur, si dhe nëse menaxhimi i proceseve të prokurimit është bërë konform legjislacionit në fuqi dhe janë arritur rezultatet e synuara të prokurimit”, thuhet në njoftimin e ZKA-së.
Në Ministrinë e Ekonomisë kanë thënë se auditimin e KEK-ut Qeveria e ka kërkuar edhe vitin e kaluar, por ka qenë e pamundur të bëhet në kohën kur e ka kërkuar.
E zëvendësministri i Ekonomisë, Mentor Arifaj, ka deklaruar se do të përqendrohen që të shmanget keqmenaxhimi dhe që të përmirësohet edhe Ligji për Ndërmarrjet Publike.
“Gjithsesi se edhe pjesa e auditimit nëse ka lëshime dhe nëse jepen komente, atëherë gjithsesi se do të rregullohen ose do të tentohet që të rregullohen edhe me ligj ashtu që auditimi të jetë më kompleks dhe me më shumë detaje, me më shumë mostra, ashtu që të vijë deri te mundësia të gjendet se a ka pasur keqpërdorime ose jo, por gjithsesi ato varen prej kahes që do ta marrë edhe vetë ligji i ri për ndërmarrjet publike, varësisht prej ligjit për fondit sovran”, ka thënë ai.
Për shkelje ligjore me auditorë privatë është përmendur së fundi në Kuvend, Radio Televizioni i Kosovës që kishte angazhuar auditorin e njëjtë më shumë se një herë.