Arbëri

Opozita mbështet protestën e PSD-së, por s’do të marrë pjesë

Protestës kundër shtrenjtimit të rrymës të shtunën nuk pritet t’i bashkohen partitë në opozitë. Ndonëse mbështesin kërkesat e saj, thirrjes së PSD-së për pjesëmarrje deri më tani nuk i janë përgjigjur pozitivisht. Në anën tjetër, nga Partia Socialdemokrate thonë se opozita aktuale në Kuvend ka shterur metodat dhe se reagimi i saj nuk është i mjaftueshëm

Kundërshtimi i partive parlamentare në opozitë lidhur me shtrenjtimin e rrymës nuk pritet të dalë jashtë veprimeve të tyre në Kuvend.

Ftesës për t’iu bashkuar protestës kundër rritjes së çmimit të energjisë, ato nuk i janë përgjigjur pozitivisht.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se ndonëse që të gjitha partitë opozitare i kanë mbështetur kërkesat e protestës, nuk e di nëse krerët e tyre do të marrin pjesë, përjashto PDK-në, kryetari i së cilës bëri të ditur mospjesëmarrjen.

Sipas tij, reagimi aktual opozitar i partive nuk është i mjaftueshëm dhe ka hapësirë për më shumë angazhim.

“A do të duhej që të ishte kaq jo, por a është më mirë se që ka qenë besoj që po. Kështu që unë jam optimist, ka një lëvizje të aktivitetit të shtuar opozitar por nuk është i mjaftueshëm dhe ne jemi këtu që të bëjmë thirrje që të jetë edhe më i madh”, ka thënë Molliqaj.

Derisa ka ftuar sërish partitë opozitare për pjesëmarrje, ai është shprehur i bindur se protesta do të ndikojë që ZRRE-ja të mos e shtrenjtojë rrymën.

“E di që është e domosdoshme që të jetë secili këtu sepse vetëm duke qenë bashkë dhe kundër kësaj qeverie kundër këtij vendimi të ZRRE-së rriten gjasat maksimale që ky vendim të hënën të hidhet poshtë”, ka shtuar ai.

KOHA të premten ka provuar të kontaktojë me të gjitha partitë në opozitë nëse do t’i bashkohen protestës, por nuk ka marrë përgjigje.

Në anën tjetër, nëpërmjet një komunikate, AAK-ja e ka lënë të hapur mundësinë që ndonjëri prej zyrtarëve të saj do të marrë pjesë.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk është pjesë e organizimit të protestës së të shtunës, kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike. Ne kuptojmë shqetësimin e secilit për këtë çështje, njëherësh prapë i bëjmë thirrje Qeverisë që të tërhiqet nga shtrenjtimi i rrymës. Gjithashtu, ne respektojmë vullnetin e secilit për pjesëmarrje në këtë protestë dhe apelojmë që të respektohen masat anticovid”, ka thënë AAK-ja.

Ndaj protestës së PSD-së, ka reaguar një grup nga shoqëria civile, që për mosshtrejtimin e rrymës, protestoi të mërkurën.

Sipas tyre, shpërndarja e fletushkave për protestë pa ndonjë shenjë identifikuese të PSD-së synon t’i hetojë qytetarët lidhur me organizimin e nesërm.

“Grupi i qytetarëve të organizuar nën parullën “ASNJI CENT MA SHUMË!”, informon publikun se protesta e ditës së shtunë nuk organizohet nga ta. Kjo protestë është e thirrur nga Partia Socialdemokrate -PSD. Ky informim u bë i domosdoshëm pasi nëpër rrugët e Prishtinës janë ngjitur posterë dhe janë shpërndarë fletushka me informatat e protestës të thirrur nga PSD, pa vendosur askund logon e tyre apo ndonjë shenjë tjetër identifikimi të tyre si organizatorë. Këtë gjë ne e lexojmë si akt të qëllimshëm i cili synon t’i konfuzojë qytetarët lidhur me organizimin e nesërm. Me këtë rast, ne shprehim gjithashtu shqetësimin për sulmet e vazhdueshme mediale të militantëve të PSD-së ndaj aktivistëve/eve dhe qytetarëve/eve të protestës “ASNJI CENT MA SHUMË!”. Gjatë kësaj jave ne e kemi parë një fushatë të egër të PSD-së për ta deligjitimuar organizimin kolektiv për ta kundërshtuar rritjen e energjisë, duke shpifur dhe keqinformuar publikun. Përveç propagandës mediale, PSD-ja është angazhuar aktivisht në sabotimin e organizimit qytetar rreth kauzës së mosshtrejtimit të çmimit të energjisë, çka është duke na dëshmuar edhe një herë nevojën që kjo kauzë t'iu mbetet qytetarëve, e jo partive. Ne insistojmë që kjo kauzë, aq esenciale për të gjithë/a ne, duhet të mbetet kauzë qytetare. Çdo ndërhyrje nga partitë politike do ta dëmtojë këtë kauzë, duke e shndërruar atë në mjet të rritjes elektorale dhe pazareve politike. Andaj, ne mbesim të vendosur/a që të vazhdojmë me organizimin dhe qëndresën tonë kundrejt kësaj padrejtësie e cila është duke na u kanosur. Protestat tona dhe përpjekjet për parandalimin e rritjes së çmimit të energjisë do të vazhdojnë deri në fitoren tonë. Kjo betejë na takon neve - qytetarëve, andaj ju ftojmë të gjithë/a që të na bashkoheni në organizim dhe në rrugë”, thuhet në reagim.

Protesta e thirrur nga Partia Socialdemokrate, mbahet të shtunën me fillim nga ora 14.