Arbëri

Punonjësve shëndetësorë u paguhet në shkurt 10% i pagës bazë

Ministria e Shëndetësisë njofton se pagesa e 10% të pagës bazë, për jo më pak se 60 euro për punonjësit e sektorit publik – profesionistët shëndetësorë dhe stafin mbështetës, deri në gjashtë muaj, do të bëhet me pagën e muajit shkurt, në mënyrë retroaktive edhe për muajin janar 2022.

“Me qëllim të zbatimit të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Nr.09/56, për pagesën shtesë prej 10% të pagës bazë, por jo më pak se 60 euro për punonjësit e sektorit publik (profesionistët shëndetësor dhe stafin mbështetës) deri në gjashtë muaj, përkatësisht për periudhën janar-qershor 2022. Ministria e Shëndetësisë informon se për shkak se agregimi i të dhënave për një numër të madh të profesionistëve shëndetësorë dhe stafit mbështetës nga dhjetëra organizata buxhetore do të marr një kohë, pagesa e 10% të pagës bazë, do të bëhet me pagën e muajit shkurt, në mënyrë retroaktive edhe për muajin janar 2022”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Më 26 janar 2022, Qeveria e Kosovës ka ndarë 5. 6 milionë euro për pagesën shtesë për profesionistët shëndetësor dhe stafin mbështetës në sektorin publik.