Arbëri

Propozohet strukturë me tri bllok-tarifa për çmimin e energjisë

KEDS - faturat

Instituti për Politika Zhvillimore në Kosovë (INDEP) ka propozuar strukturë prej tri bllok-tarifash për çmimin e energjisë elektrike. Në një konferencë për media, ky institut ka propozuar ndarjen e tarifave për ata që shpenzojnë nën 600 kilovatë në muaj, ata nga 600 deri në 1200 kilovatë në muaj dhe ata të fundit me mbi 1200 kilovatë në muaj.

Sipas propozimit, për konsumatorët që do të shpenzonin deri 600 kilovatë në muaj, rritja e çmimit do të ishte 5.5 për qind, për ata nga 600-1200kW për 70 për qind e ata mbi 1200kW rritje prej 80 për qind të çmimit. Sipas INDEP-it, ky propozim është më i ulët sesa ajo që ka prezantuar ZRRE-ja. Sipas këtij instituti, raporti i ZRRE-së çon rritjen e çmimit për ata që shpenzojnë mbi 600KW mbi 200 për qind.

INDEP-i ka thënë se do t’i dërgojë propozimet si komente me shkrim edhe në ZRRE.

Në arsyetim të këtij propozimi, Liron Gjocaj, hulumtues në INDEP, ka thënë se me propozimin që ata konsumojnë deri 600KW në muaj të mos kenë shtrenjtim të çmimit të rrymës, do të bënte që të ketë ulje të interesit për masat e efiçiencës.

Image
Foto: Driton Paçarada/KOHA

Një ngritje e çmimit në këso bllok-tarifa, sipas INDEP-it, do të nxiste përpjekjet e qytetarëve për kursim.

Gjocaj ka arsyetuar propozimin për ngritje prej rreth 70 për qind të çmimit për kategorinë e dytë (600-1200KW) do të bënte që qytetarët të ishin më të barabartë në shpenzime sikur ata që ngrohen me ngrohje qendrore, sikur ata që shfrytëzojnë energjinë për ngrohje.

Për shpenzuesit e mbi 1200KW, INDEP-i ka thënë se kjo është kategori e njerëzve që kanë të hyra më të mëdha dhe se është e rëndësishme që të bëhet ndarja mes sasisë esenciale për shpenzim dhe asaj mbi mesatare.

Dardan Abazi, udhëheqës i hulumtimeve në INDEP, ka thënë se propozimi aktual i ZRRE-së është i papranueshëm. Ky institut ka thënë se e përkrah rritjen e çmimit të tarifave të energjisë, por s’pajtohet me përqindjen e propozuar nga ZRRE-ja.

Propozimi i INDEP-it:

  • Tarifat e shërbimit të energjisë elektrike të rriten për 5.5% për të gjithë konsumatorët, përfshirë konsumatorët komercial.
  • Të rikthehet struktura tarifore me blloqe për konsumatorët e amvisërisë, ku ndarja do të bëhet në tre nivele të konsumit të energjisë elektrike, deri në 600 kWh në muaj, nga 600 deri në 1,200 kWh në muaj dhe mbi 1,200 kWh në muaj.
  • Për nivelin e konsumit deri në 600 kWh në muaj energji elektrike, të aplikohen tarifat prej 0.0712 €/kWh për energjinë e konsumuar në kohën e tarifës së lartë dhe 0.0304 €/kWh për energjinë e konsumuar në tarifën e ulët, apo 5.5% më të larta se tarifat aktuale.
  • Për konsumatorët që tejkalojnë nivelin e konsumit prej 600 kWh në muaj, të aplikohen tarifat prej 0.121 €/kWh për energjinë e konsumuar në kohën e tarifës së lartë dhe 0.051 €/kWh për energjinë e konsumuar në tarifën e ulët, apo 70% më të larta se tarifat e bllokut të parë.
  • Për konsumatorët që tejkalojnë nivelin e konsumit prej 1,200 kWh në muaj, të aplikohen tarifat prej 0.217 €/kWh për energjinë e konsumuar në kohën e tarifës së lartë dhe 0.091 €/kWh për energjinë e konsumuar në tarifën e ulët, apo 80% më të larta se tarifat e bllokut të dytë.
Image

Në vend është shkaktuar debat i gjerë pas raportit të ZRRE-së për ngritjen e çmimit. Kjo zyrë ka publikuar raportin me ngritjen e çmimit, ndërsa Qeveria është zotuar për ndarjen e 75 milionë eurove për subvencionim të pagesave për ata që shpenzojnë nën 600 kilovatë, dhe në përqindje të caktuar edhe për ata që shpenzojnë më shumë. Propozimi për ngritje të çmimit ka çuar edhe në seancë parlamentare nga partitë opozitare, por që një rezolutë kundër ngritjes së çmimit nuk u votua. Edhe qytetarët kanë protestuar të mërkurën kundër ngritjes së çmimit.