Arbëri

Latifi: Përkundër rritjes së rasteve, numri i personave që kërkon ndihmë në spital është i vogël

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka thënë se përkundër shtimit të numrit të rasteve me COVID-19, numri i pacientëve që po kërkon ndihmë në spitale është i vogël.

Ai ka treguar se në QKUK e spitalet rajonale po trajtohen 167 pacientë.

“Ne jemi duke e shikuar situatën çdo ditë, punën e stafit profesional. Deri tash stafi ka treguar një punë të pashembullt. Masat që i kemi marrë janë rezultat i barazimit të këtyre faktorëve, e situatës në vendet e rajonit. Në rajon Kosova është e dyta sa i përket testimit, pas Sllovenisë dhe po ashtu në detektiv të COVID-it. Kosova mesataren javore e ka 0.06 raste të vdekjes”, ka thënë Latifi në raportim në Komision.

E deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka pyetur se cili është projeksioni që ka dhënë IKSHPK-ja.

“Më datën 5 janar kishim 150 raste pizitive, brenda 7 ditëve u rritë në 2948 raste. I bie afro 100 mijë banorë në izolim nëse zbatohet parandalimi i përhapjes. Cili është projeksioni që iu dha IKSHPK-ja për këtë. Ajo çka po ashihet nuk është prioritet real në këtë pjesë. Sa vaksina të gripit sezonal i keni dhënë në këtë periudhë? Pse fushata sensibilizuese ka filluar vetëm në janar? Ne keni futur në konflikt me vëllezërit e motrat tona në Shqipëri”, ka thënë Zemaj.

E Latifi është kundërpërgjigjur.

“Zoti deputet dhe ish-ministër i Shëndetësisë. Të kërkosh prej ministrit të Shëndetësisë ngritje të kapaciteteve njerëzore në intensivë, kushte që ju i dini se nuk mund të ngritën brenda nate e brenda dite. Ne na duhet me u përgatitë mirë, ne nuk kemi asnjë specializant të ri në intensive që do të na kishte ndihmuar në gjendjen që kemi. Nuk ka neglizhencë, secili anëtarë i MSH-së është në krye të detyrës, së bashku me të gjithë profesionistët. Ka qenë e pritur të rriten rastet, madje edhe më tepër. Bosnja e Sllovenia i kanë mbi 5 mijë raste në ditë, e ne mesatarisht i kemi 1500 raste për 1 milion banorë. Nuk ka neglizhencë, ka administrim të mirë në realitet. Në të gjithë kemi me mësuar mësime”, tha Latifi.