Arbëri

Petkoviq kërkon të hapen qendrat e votimit në Kosovë më 3 prill, kërcënon me pasoja

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, është takuar sot me kreun e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport.

Temë diskutimi ka qenë votimi i qytetarëve serbë të Kosovës në zgjedhjet e 3 prillit të organizuara nga Serbia.

Petkoviq është ankuar që serbëve në Kosovë nuk i ishte lejuar të votonin brenda territorit të Kosovës në referendumin e Serbisë.

Autoritetet e Kosovës nuk lejuan të hapeshin qendrat e votimit, ndërsa qytetarët serbë kishin mundësinë të votonin nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse apo me postë. Por, Komisioni i Zgjedhjeve në Serbi vendosi të hapte qendra votimi për qytetarët serbë të Kosovës në katër qytete në Serbi.

Petkoviq ka thënë se është obligim i OSBE-së të mundësojë që më 3 prill të hapen qendrat e votimit në Kosovë për zgjedhjet e Serbisë. Ai madje ka paralajmëruar pasoja nëse nuk bëhet kjo.

“Deklaratat e përditshme të politikanëve të Prishtinës se serbëve në Kosovë e M. do t’u ndalohet të votojnë në zgjedhjet e shpallura nga R. e Serbisë, veçanërisht ato të 3 prillit, ngrenë shqetësim shtesë dhe kërcënojnë të sjellin pasoja të paparashikueshme në normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit e Prishtinës”, tha Petkoviq.

Siç njofton e ashtuquajtura Zyre për Kosovë, Petkoviq tha se deri tash OSBE-ja ka mundësuar për qytetarët serbë në Kosovë të votojnë në zgjedhjet e shpallura nga Serbia dhe pret që Misioni të vazhdojë të bëjë këtë.

“Petkoviq përkujtoi se populli serb në Kosovë e M. deri tash, me mbështetjen e OSBE-së, ka pasur të drejtën e votës në zgjedhjet e shpallura të R. së Serbisë, duke theksuar se Misioni i OSBE-së është përgjegjës për organizimin e votimit më 3 prill në Kosovë e M. dhe serbëve t’ua mundësojë të ushtrojnë të drejtën e tyre civile e demokratike. Petkoviq vlerësoi se OSBE-ja në Kosovë e M. ka rol të rëndësishëm në vendosjen e sundimit të ligjit dhe ambientit të sigurt për gjithë qytetarët dhe shpreh pritjen se Misioni do të vazhdojë të veprojë në përputhje me mandatin”, thuhet në njoftimin e të ashtuquajturës Zyre për Kosovë. “Përndryshe, ngjarjet e fundit rrezikojnë anulimin e plotë të përparimit të bërë në dialog mes Beogradit e Prishtinës e të çojë te një kërcënim serioz ndaj paqes dhe destabilizimit të rrezikshëm të rajonit, gjë të cilën Beogradi nuk e do”.