Komisioni parlamentar për arsim ka miratuar sot Projektligjin për Agjencinë e Akreditimit për t’i hapur rrugë Kosovës që të aplikojë për rikthim në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe regjistrimin në Regjistrin Evropian për Rritjen e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).
Naim Gashi, drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, ka thënë se agjencia gjatë vitit të kaluar ka pasur një sërë aktivitetesh në ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë dhe përmbushjen e kritereve në ENQA dhe EQAr.
Ai në emisionin “60 Minuta” ka thënë se nga 13 kritere kryesore, AKA-ja ka përmbushur 12 prej tyre, ndërsa ka përmendur disa nga to.
“Pika e parë është pavarësia institucionale dhe financiare e agjencisë që po bëhet përmes ligjit të agjencisë. Ky ka qenë kriteri më vështirë i përmbushur. Kriter tjetër ka qenë miratimi i planit strategjik, që tashmë e kemi. Mandej ka qenë krijimi i analizën tematike për çështje të ndryshme. Ka qenë një udhëzues për ekspertë ndërkombëtarë, e kemi bë. Ka qenë për metodologjinë e vlerësimit të stafit të brendshëm, e kemi bërë, etj”.
Gashi njoftoi se gjatë pranverës do të fillojë procesi i monitorimit nëse institucionet e arsimit të lartë i zbatojnë rekomandimet që u janë dhënë gjatë procesit të akreditimit.
Ndërsa, Gëzim Tosuni, anëtar i Këshillit për Cilësi, ka thënë se këshilli ka qenë në gjendje kaotike vitin e kaluar pasi ka trashëguar një numër lëndësh të cilat ishin grumbulluar.
“Ka qenë mungesa e funksionalitetit të bordit. Kur kemi ardhë si këshill kanë qenë 239 kërkesa për akreditim qoftë institucional a të programeve, ato janë tejkaluar”, tregoi ai.
Tosuni nuk ka mundur të japë një numër se sa programe janë akredituar vitin e kaluar.
Të pyetur rreth akreditimit të programeve, Gashi ka thënë se sot nuk ka informacion se ndonjë institucion i arsimit të lartë të ketë tejkaluar një kuotë.
“Aktualisht nëse ka informacione se dikush ka kaluar kuotat e studentëve, automatikisht fillon procedura e tërheqjes së akreditimit. Sot nuk ka asnjë informacion zyrtar që një institucion i arsimit të lartë në Kosovë ka tejkaluar një kuotë. Nëse e kam këtë informacion, nesër kam kompetencë të fillojë procedurat e tërheqjes së akreditimit”, ka thënë Gashi.