Përkundër progresit të lehtë që ka pasur Kosova në luftën kundër korrupsionit, ka ende shumë punë për tu bërë, është thënë të martën në një konferencë për media, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).
Teksa është komentuar Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021, të përpiluar nga organizata ndërkombëtare, Transparency International, Arben Kelmendi nga IKD-ja, ka thënë se tri pikët që Kosova i kishte humbur në tri vitet e kaluara, i ka rikthyer.
“Raporti i Transparency International thekson se në Kosovë ka pasur transfer paqësor pushteti mes qeverive në vitet e fundit dhe Kosova është i vetmi vend në rajon dhe një nga vetëm pesë vendet në Evropë që, gjatë periudhës së pandemisë, nuk i transferoi kompetencat vendim-marrëse tek ekzekutivi por i mbajti në parlament. Fakti që janë bërë përpjekje për të pasqyruar vullnetin e qytetarëve edhe në kohët më të vështira, është një vendim i përgjegjshëm nga ana e qeverisë dhe për mendimin tonë është shumë e rëndësishme që edhe në rrethana të jashtëzakonshme institucionet të vazhdojnë të kryejnë rolin e tyre. Kosova në këtë drejtim ka qenë një shembull shumë i mirë, duke lënë parlamentin të kryejë detyrat e veta gjatë periudhës së pandemisë”, ka thënë Kelmendi.
Ai ka përmendur edhe Qeverinë e tanishme e cila sipas tij ka meritat e saja për progresin në luftën kundër korrupsionit.
Instituti Demokratik i Kosovës thekson se për t’u vazhduar progresi në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit:
1. Institucionet duhet të vazhdojnë me zbatimin e reformës në sistemin e drejtësisë me qëllim të ngritjes së besimit të publikut tek organet e rendit dhe ligjit, duke minimizuar ndërhyrjet politike në punën e gjyqësorit dhe prokurorisë. Kjo reformë duhet të jetë gjithpërfshirëse dhe e koordinuar mirë mes të gjithë akterëve relevantë.
2. Lufta kundër korrupsionit të intensifikohet në drejtim të masave parandaluese. Ligji i ri për Agjensionin për parandalimin e korrupsionit, duhet jo vetëm të ndërrojë emrin e Agjensionit, por të sjellë një frymë të re në efikasitetin dhe përkushtimin e personelit të Agjensionit në parandalimin e korrupsionit përmes një procesi më efikas të grumbullimit dhe kontrollimit të deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë, dhe adresimin ekspeditiv të kërkesave për vlerësimin e rasteve të mundshme të konfliktit të interesit. Agjensioni gjithashtu duhet të fuqizohet edhe në trajtimin e rasteve të sinjalizimit të jashtëm si autoritet kompetent kombëtar.
3. Në fushën e prokurimit publik, kërkohet ngritje e transparencës dhe llogaridhënies në të gjitha fazat e procedurës së prokurimit. Vëmendje të veçantë duhet kushtuar menaxhimit dhe mbikëqyrjes së kontratave publike duke ngritur nivelin e përgjegjësisë së zyrtarëve publik për mënyrën e shpenzimit të parasë publike.
4. Sa i përket procesit të të emërimit dhe përzgjedhjes të anëtarëve të bordeve kërkohet të ndryshohet dhe plotësohet Ligji për Ndërmarrje Publike me qëllim të rritjes së transparencës dhe mbikëqyrjes së procesit dhe eliminimit të politizimit të Bordeve nga përzgjedhja e anëtarëve joprofesional, duke i dhënë mundësinë profesionistëve të fushës dhe të paanshëm nga ngjyrimet partiake.