Arbëri

Blakaj paralajmëron keqpërdorime në përzgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit

Ish-prokurori special, Elez Blakaj, ka deklaruar se keqpërdorime pritet të ketë procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit, duke përmendur raste se si vitet e fundit “kanë bredhur” nëpër zyra persona të njëjtë, duke favorizuar njëri-tjetrin.

Ai shkroi se veprime të tilla janë bërë në Këshillin Prokurorial për pozita të ndryshme, deri të Kryeprokurori “me qëllim të ruajtjes së monopolit dhe pushtetit për njëri-tjetrin” e “duke i trajtuar këto institucione si të ishin pronë private”.

“Qasja e Këshillit Prokurorial, sjelljet dhe veprimet e tyre, skandalet e shumta, vendimet e kundërligjshme, konflikti i interesit, transferet dhe avancimet me standarde të dyfishta, qartë kanë shpërfaqur fotografinë e vërtetë dhe mungesën e integritetit të këtij institucioni. Madje, për disa nga problemet brenda këtij institucioni kanë reaguar edhe raporte e opinione ndërkombëtare, si dhe partner e miq të cilët e kanë ndihmuar në vazhdimësi Këshillin Prokurorial”, thuhet në statusin e tij në Facebook.

Blakaj, i cili kishte dhënë dorëheqje nga pozita e prokurorit gushtin e 2018-s, shkroi tutje se pavarësisht zhvillimeve, reformat në Këshillin Prokurorial duhet të vazhdojnë pasi sipas tij janë mjeti më i mirë që do të “shëronte” nga ky mentalitet.