Arbëri

Deputeti i LS-së sfidon institucionet e Kosovës me postin publik në Serbi

Nenkryetari i Listes Serbe, Igor Simiq

Fondin Pensional Invalidor Republikan të Serbisë për Kosovën e drejton një deputet i Kuvendit të Kosovës, i cili një pozitë të tillë jo vetëm që nuk e ka fshehur, por edhe e ka formalizuar në dokumentacionin e një institucioni të Kosovës.
Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, identifikohet si shef i shërbimit të këtij fondi jo vetëm në faqen zyrtare të tij, por edhe në Agjencinë Kundër Korrupsionit të Kosovës, ku ai ka deklaruar të ardhurat nga kjo pozitë.

Kanë kaluar 10 vjet nga fillimi i negociatave mes Kosovës e Serbisë, nga të cilat pritet jo vetëm shuarja e strukturave paralele, por edhe një zgjidhje në lidhje me Fondin Pensional të kontribuuesve para luftës.

Qeveria e Kosovës nuk ka treguar nëse së paku e kanë pyetur deputetin e Kuvendit të Kosovës për fondin paralel që ai udhëheq dhe mbetet e paqartë nëse aty janë menaxhuar kontributet edhe të paraluftës.
Përfaqësuesit e pensionistëve kërkojnë zgjidhje urgjente për këto kontribute, sidomos duke ditur se ka pensionistë që kanë vdekur pa i gëzuar asnjëherë ato.

“Është prioritet jashtëzakonisht i madh, sepse po e marrim (shembull) diku kanë mbetur 30-40 mijë pensionistë që kanë qenë para luftës në pension. Ato pensione po t’i kishin marrë tash në Serbi me shumën që e kanë marrë atëherë, i bie një pension shumë më i madh sesa që është 100 euro te ne, i bie 300, 200 apo 500”, ka thënë Ramiz Mustafa, kryetar i Shoqatës Sindikale të Pensionistëve.

Sipas Mustafës, Kosova e Serbia nuk kanë arritur marrëveshje herën e fundit kur e kanë diskutuar çështjen e Fondit Pensional në vitin 2013. Ndërkohë, të paktën gjatë Qeverisë Kurti 1 është thënë se çështja e Fondit Pensional duhet të zgjidhet përmes dialogut.

Zyra e BE-së në Kosovë nuk ka dhënë përgjigje të qartë lidhur me përfshirjen e kësaj çështjeje në dialog.

“Ne presim që Kosova dhe Serbia të bëjnë përparim të shpejtë në negociatat për marrëveshjen ligjërisht të detyrueshme të normalizimit, e cila duhet të trajtojë çështjet kyç të pazgjidhura ndërmjet palëve në një mënyrë të qëndrueshme. Temat dhe elementet specifike të kësaj marrëveshjeje, si dhe ritmi i negociatave, përcaktohen nga palët – por sipas pikëpamjes së BE-së çështja është urgjente, pasi status quoja nuk është e qëndrueshme për asnjërën palë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së në Kosovë.
Duke e formalizuar në dokumentacionin shtetëror të Kosovës pozitën e tij në struktura paralele, deputeti Simiq i ka sfiduar institucionet, por Qeveria nuk e ka komentuar këtë.

Zyra për Media e saj ka ditë që nuk i është përgjigjur insistimit të KOHËS rreth adresimit të këtyre çështjeve në dialog, por edhe rreth sfidimit nga deputeti.

Përgjigje nuk kanë kthyer as vetë deputeti Simiq e as Fondi Pensional i Serbisë.