Arbëri

Neglizhenca e gjykatave në Kosovë lë të pandëshkuara krimet e luftës

Descriptive Text

Tash e 23 vjet nga lufta në Kosovë, shumë pak persona vuajnë dënimin për krimet e kryera. Kjo, sipas juristëve, vjen si pasojë e neglizhencës së organeve të drejtësisë në Kosovë të cilat, për mbi 13 mijë viktima, kanë dënuar vetëm rreth 50 persona, prej vitit 2014 kur përgjegjësia u ka kaluar institucioneve kosovare. Juristët thonë se edhe pse është mundësuar gjykimi në mungesë, Prokuroria e Gjyqësori nuk kanë treguar kurrfarë efikasiteti

Janë mbi 13 mijë viktima të luftës së fundit dhe për 23 vjet, vetëm rreth 50 persona janë dënuar nga institucionet e drejtësisë në Kosovë. Ka gati 8 vjet qëkur Kosova ka marrë kompetencat e plota për gjykimin e krimeve të luftës, por deri më tash nuk është parë kurrfarë avancimi.

Njohës të çështjeve të drejtësisë e monitorues të rasteve gjyqësore për krimet e luftës, kanë thënë se janë një mori shkaktarësh që kryesit e krimeve të luftës në Kosovë vazhdojnë të mos dalin para drejtësisë. Ndjekja penale e kriminelëve, menjëherë pas luftës ka qenë kompetencë e UNMIK-ut deri më 2008 e më pas e EULEX-it deri më 2014. Pas 2014-s përgjegjësia u ka kaluar institucioneve kosovare, por avancimi në këtë drejtim, sipas juristëve, vlerësohet të ketë ngecur për shkak të neglizhencës së prokurorëve e gjyqtarëve, numrit të vogël të prokurorëve që janë marrë me këto krime dhe gjithashtu për shkak të mungesës së bashkëpunimit juridik Kosovë-Serbi për të sjellë para drejtësisë personat e dyshuar.

Në drejtim të kësaj, më 2019 Kuvendi i Kosovës kishte miratuar ligjin për gjykimin në mungesë në kuadër të Kodit të Procedurës Penale. Për shkak të pazbatueshmërisë së tij, gjatë vitit të kaluar Kuvendi ka ndryshuar disa nene që do të krijonin lehtësira të tjera në zbatimin e tij, por Amer Alijajt nga Fondi për të Drejtën Humanitare, edhe pse është krijuar infrastruktura ligjore për gjykimin e krimeve në mungesë, në 6 muajt e fundit nuk ka filluar kurrfarë procesi gjyqësor për këto krime.

“Ligji për gjykimin në mungesë ka hyrë në fuqi në qershor të vitit 2019. Për shkak të disa parregullsive dhe për shkak të pazbatueshmërisë së tij në praktikë, janë bërë edhe një herë disa ndryshime në nenet e këtij ligji. Para 6 muajsh apo në qershor të vitit 2021, ka hyrë në fuqi ligji me ndryshime. Brenda periudhës gjashtëmujore nuk ka pasur ndonjë proces gjyqësor që ka filluar në mungesë”, ka thënë ai.

Sipas avokatit Kadri Osaj, ka mjaftueshëm vende nëpër botë prej të cilave institucionet e drejtësisë në Kosovë do të mund të merrnin shembuj për gjykimin e krimeve, porse sipas tij, Prokuroria dhe Gjyqësori e kanë ruajtur komoditetin. Ai ka vlerësuar se me miratimin e këtij ligji nuk ka më asnjë pengesë ligjore që të zhvillohen procedura ndaj kriminelëve të luftës për krimet e bëra në Kosovë.

“Tani organet tona shtetërore e kanë mundësinë për t’i ndjekur veprat penale të krimeve të luftës mirëpo kanë qenë neglizhente. Kanë qenë neglizhente për faktin se çdoherë e kanë arsyetuar mosluftimin e krimeve të luftës dhe mosprezencën e të pandehurit për faktin se nuk kemi një bashkëpunim me autoritetet e Serbisë të cilat nuk kanë vullnet dhe dëshirë t’i dorëzojnë kriminelët e luftës në Kosovë”, ka thënë ai.

Sipas FDH-së, nga gjykimet në Kosovë, gjykimet në Serbi, në Tribunalin e Hagës dhe tash në Gjykatën Speciale në total janë akuzuar 213 persona, por vetëm 71 janë dënuar dhe 50 për qind e të dënuarve janë shqiptarë. Por, për t’u marrë më seriozisht me këtë çështje, Alija ka propozuar një temë si kjo të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi.

“Zgjidhja e vetme dhe zgjidhja kryesore është që në temat e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është të futet tema e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar mes Kosovës dhe Serbisë dhe duhet që Bashkësia ndërkombëtare me një presion pak më të madh ndaj Serbisë ta kushtëzojë që edhe Serbia t’i iniciojë dhe gjykojë sa më shumë qytetarët e saj”, ka deklaruar Alija.

Për këtë çështje, para disa ditëve është pyetur edhe Qeveria e Kosovës. Ndonëse nuk kanë thënë specifikisht nëse do të adresohet si temë në dialog, ata kanë theksuar se në këtë proces duhet të ballafaqohet e kaluara dhe të garantohet e ardhmja.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka adresimin e krimeve të luftës. Përveç shtimit të kapaciteteve në Departamentit për Krime Lufte të Prokurorisë Speciale, jemi të përkushtuar në gjetjen e një zgjidhjeje e cila do të rezultonte në vënien e drejtësisë për viktimat e krimeve të luftës. Nuk ka bashkëpunim juridik me Serbinë për krime lufte për arsye të njohura. Autoritetet në Serbi vazhdimisht kanë mohuar krimet e kryera në Kosovë, madje kanë lartësuar kriminelët të cilët kanë kryer ato krime”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Përveç stagnimit në gjykimin e krimeve të luftës, Kosova ka dështuar edhe në dokumentimin e tyre. 23 vjet pas luftës, Qeveria synon që edhe njëherë tjetër të krijojë Institutin për Dokumentimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë.

“Në vitin 2022, Ministria e Drejtësisë do të hartojë projektligjin për Institutin për Dokumentimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë me qëllim të mbledhjes së fakteve dhe dëshmive për këto krime”, është thënë tutje në përgjigjen e Qeverisë.

Fondi për të Drejtën Humanitare ka regjistruar 13.535 njerëz të cilët janë vrarë apo janë zhdukur në luftën e fundit në Kosovë dhe shumica dërrmuese e tyre, apo 10.800 viktima kanë qenë civilë.

Javën e kaluar, në 23-vjetorin e masakrës së Reçakut, KOHA ka raportuar se Kosova ngec në dokumentim e ndëshkim të krimeve të luftës. Në mënyrë që kryerësit e këtyre krimeve të mund të vihen para drejtësisë, Fondi për të Drejtën Humanitare kishte rekomanduar që të lidhet bashkëpunim midis prokurorive të Kosovës e të Serbisë, dhe që sa më parë të funksionalizohet instituti për dokumentimin e krimeve të luftës. Kryeministri Albin Kurti, kishte thënë se ka shumë punë për dokumentimin e krimeve të luftës dhe se tashmë i është hapur rruga institutit që do t’i hulumtojë krimet.

“Prokurorinë Speciale po përpiqemi që ta forcojmë në mënyrë që të ketë sa më shumë aktakuza prej kallëzimeve penale, të ketë edhe kallëzime të reja penale, ashtu që ata që janë fajtorë të vihen para drejtësisë”, kishte thënë kryeministri Kurti. Derisa nuk kishte treguar se kur mund të paditet Serbia për gjenocid, si sukses ai e kishte përmendur ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, duke lejuar gjykimin e dënimin në mungesë të krimeve të luftës.