Arbëri

Haradinaj kundër masave të reja anti-COVID: Qeveria po u bie në qafë qytetarëve

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar Qeverinë për masat e reja në luftën me COVID-19. Sipas tij, masat e reja s’kanë efekt në parandalim të përhapjes së virusit.

“Për papërgjegjësitë e veta dhe keqmenaxhimin e situatës me pandeminë, qeveria tani po i bie në qafë qytetarëve dhe gastronomëve duke kufizuar orarin e lëvizjes dhe mbylljen e hershme të gastronomisë. Këto masa tashmë nuk kanë asnjë efekt në parandalimin e përhapjes së virusit, siç edhe është dëshmuar”, ka thënë ai në një shkrim në Facebook. “Prandaj jemi kundër masave të votuara dhe i bëjmë thirrje qeverisë që të jetë më e përgjegjshme përballë situatave të ndjeshme si pandemia, duke analizuar mirë masat, e jo duke ndërmarrë veprime ad hoc e ndëshkuese ndaj qytetarëve pa asnjë efekt në pengimin e përhapjes së virusit”.

Të premten Qeveria vendosi të kufizojë lëvizjen prej orës 22:00 deri në orën 05:00. Gastronomisë do t’i lejohet puna deri në orën 21:30.

Institucionet arsyetuan masat e reja me ngritjen e rasteve ditëve të fundit. Të premten, u regjistruan shifra rekorde. Ishin 2943 raste të reja pozitive.