Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar për gjendjen e rrugëve në Kosovë pas reshjeve të borës gjatë të enjtes mbrëma e që kanë vazhduar edhe të premten.
Ministria njoftoi se pas reshjeve të fundit të borës, sipas informatave të siguruara nga terreni për mirëmbajtje verore dhe dimërore, gjendja e rrugëve në gjithë vendin është e mirë.
“Të gjitha rrugët në vendin tonë janë të qarkullueshme për të gjitha automjetet”, thuhet në komunikatë.
Ndërkohë tha se kompanitë e kontraktuara nga ana e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, kanë intervenuar gjatë gjithë natës, me pastrim të borës dhe hedhje të kripës në të gjitha rrugët duke e rritur nivelin e sigurisë për qarkullim më të lehtë.
Në viset malore po ashtu rrugët janë të kalueshme, ndërsa kërkohet që të vozitet duke iu përshtatur kushteve atmosferike.
Ndërsa, për shkak të borës që mbuloi vendin, edhe disa rrugë janë bërë më të vështira për t’u kaluar, rrugë që çojnë drejt pikave kufitare. Disa rrugë mund të kalohen vetëm me pajisjet dimërore, e për gjendjen e tyre Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar në faqen e saj.
Sipas të dhënave të MPB-së, magjistralja Fusha-Pajtimit-Glloboçicë, Gjilan-Muçibabë, Pejë-Kullë, Prishtinë-Mutivodë, Mitrovicë-bërnjak, Mitrovicë-Jarinje janë të kalueshme vetëm me pajisje dimërore.