Arbëri

Qeveria arsyeton mosrritjen e tarifave të energjisë për bizneset

Descriptive Text

Qeveria e Kosovës ka dhënë disa sqarime në lidhje me subvencionimin e energjisë elektrike nëpërmjet disa informative të shpërndara përballë të tjerave që i quan dezinformata. Në një nga sqarimet e saj është ndarë edhe informacioni për subvencionimin për bizneset, ku ka arsyetuar mosrritjen e bllok tarifave te kjo kategori.

Për këtë çështje, qeveria thotë se subvencionimi i bizneseve mbron secilin qytetar të Kosovës duke parandaluar efektin zinxhiror të rritjes së çmimeve të mallrave dhe shërbimeve “duke mbrojtur sigurinë e vendeve të punës”.

Qeveria në njoftimin e saj edhe një herë ka treguar se të gjithë qytetarët që konsumojnë mbi 600 kWh, do t’iu subvencionohet 600 kWh i parë.

Sipas saj, tarifës së re i nënshtrohet energjia e konsumuar mbi 600 kWh, e cila thuhet se poashtu do të jetë e subvencionuar pjesërisht nga qeveria.

Përballë këtyre informacioneve të shpërndara së fundmi nga ekzekutivi, janë renditur edhe disa informacione që sipas tyre janë të pavërteta, ndër të cilat përmendet edhe ajo që “qytetarët që konsumojnë mbi 600 kWh nuk do të përfitojnë nga subvencionimi”.

Një tjetër sqarim Qeveria e ka dhënë edhe sa i përket raportit të ZRRE-së për ngritjen e tarifave, për çka thotë se nuk e kanë miratuar atë raport, por do t’i dërgojnë ZRRE-së komentet në lidhje me këtë raport.