Arbëri

Rekomandohen masat e reja, shkollat synohet të mbahen hapur

Komitetit për koordinim dhe vlerësimin e situatës epidemiologjike ka rekomanduar masat e reja anti-COVID. Teksa ende s’janë bërë të ditura të gjitha rekomandimet, shkollat në vend synohet që të mbesin të hapura.

Pas takimit, të enjten, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka thënë se masat janë rishikuar dhe se ende po diskutohen. Ai s’ka dhënë detaje nëse gjithçka do të mbyllet në orën 22:00, siç ishte raportuar. Ka thënë se në takim është diskutuar veçanërisht për masat anti-COVID dhe për përhapjen e virusit, por që sipas tij, Kosova qëndron më mirë sesa vendet e rajonit. Ai ka apeluar për vaksinim derisa ka thënë se rekomandimet pritet t’i dërgohen Qeverisë sot në mbrëmje apo nesër në mëngjes.

Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se shteti ka interesim që t’i mbajë shkollat hapur, pavarësisht rritjes së rasteve pozitive te fëmijët. Ajo ka bërë të ditur se sot gjatë ditës do të mblidhet task-forca e kësaj ministrie për të diskutuar për situatën e krijuar dhe nesër prapë do të ketë takim.

Vetëm të mërkurën u regjistruan 2050 raste të reja pozitive, duke e vazhduar trendin ngritës. Aktualisht janë mbi 7200 raste aktive me COVID-19. Nga 2050, mbi 600 ishin të moshës nën 19-vjeçare.

“Për shkak të natyrës jashtëzakonisht ngjitëse të Omicronit, rritja e rasteve, të paktën për një kohë, ishte e pashmangshme. Prandaj, kryeministri kërkoi nga Komiteti, që masat e vendosura ta kenë si qëllim kryesor ngadalësimin e rritjes së rasteve. Ngadalësimi i rritjes së numrit të rasteve do të sigurojë që funksionimi i sistemit shëndetësor të mos rrezikohet nga një fluks i madh dhe i përnjëhershëm i pacientëve nëpër spitale, apo nga mungesa e punonjësve shëndetësorë të infektuar. Po ashtu, një ngadalësim i tillë do t’u japë kohë qytetarëve që të vaksinohen sa më masivisht, qoftë me dy dozat e para, qoftë me dozën përforcuese. Kjo do t’iu ofrojë mbrojtjen prej infektimit apo sëmundjes së rëndë, si dhe do ta ndihmojë Kosovën në tërësi, që të kalojë sa më shpejt valën aktuale dhe me sa më pak pasoja. Nga ky takim u bë thirrje për qytetarët, që të mos nënvlerësohet varianti Omicron. Të gjitha informatat nga vendet e tjera dëshmojnë qartë dhe pa asnjë dyshim, se ky variant mund të shkaktojë sëmundje të rëndë dhe humbje jete, sidomos mes personave të pavaksinuar dhe, deri diku, edhe mes atyre që nuk kanë marrë dozën përforcuese”, thuhet nga Zyra e Kryeministrit.