Driton Vela, mjek internist, ka thënë se doza përforcuese e vaksinës anti-COVID, e rikthen nivel mbrojtës ndaj infeksionit në vlerat 70-80%.
Në “Interaktiv” të KTV-së, Vela ka thënë se tek ata që i kanë marrë vetëm të dy dozat e vaksinës, dhe kanë kaluar më shumë se 5-6 muaj pas marrjes, atëherë efikasiteti i vaksinës bie nën 30%.
Kjo deklaratë e Velës vjen në kohën kur në Kosovë është rritur dukshëm numri i rasteve pozitive me koronavirus. Vetëm në 24 orët e fundit, janë regjistruar 2,050 raste të reja.
“Ata të cilët i kanë marrë dy dozat e vaksinës dhe tek të njëjtit ka kaluar një periudhë e gjatë kohore, sidomos mbi 5-6 muaj, atëherë tek ata efikasiteti i vaksinës ndaj infeksionit është i ulët, madje edhe nën 30%. Nëse të njëjtit e marrin dozën përforcuese niveli mbrojtës ndaj infeksionit rikthehet diku në vlerat 70-80%. Fatmirësisht vaksinat të cilat i kemi marrë na mbrojnë mjaft mirë nga pasojat e rënda të COVID-it edhe gjatë valës Omicron, që janë hospitalizimet dhe vdekjet”, ka thënë Vela.
Sipas tij, vaksina dhe infeksioni paraprak e kanë krijuar murin mbrojtës, duke mos lejuar rritjen e numrit të fataliteteve në Kosovë, pavarësisht rritjes së rasteve të reja ditore.
Vela po ashtu ka sqaruar se numri aktual i hospitalizimeve nuk është tregues i situatës aktuale, pasi siç ka thënë, njerëzit që përfundojnë në spitale, janë infektuar një javë më parë.
Në Kosovë deri më tani dozën përforcuese të vaksinës e kanë marrë vetëm 40.561 persona, dozën e tretë, 2,191 persona, ndërkaq, dozën e dytë deri tani e kanë marrë 798,225 persona.