Arbëri

Diskriminimi i dyfishtë ndaj refugjatit nga Kosova: Homoseksual dhe rom

Ervin Bajrami pati guximin të tregonte se është homoseksual. Përderisa sot vazhdon të mbrojë të drejtën e tij si pjesë e komunitetit rom, ai ngelet viktimë e diskriminimit të dyfishtë. Thotë se diskriminohet edhe nga të diskriminuarit.

Është ndër të paktët që guxoi të dilte haptas në Itali se është homoseksual. 30-vjeçari Ervin Bajrami është aktivist i të drejtave të komunitetit LGBT dhe atij rom. Ai jeton në Bergamo. Shkoi nga Kosova kur ishte vetëm tetëvjeçar. Tash po përjeton diskriminim të dyfishtë: i përjashtuar nga familja e tij sepse është homoseksual, por edhe nga komuniteti LGBT sepse është rom. “Në këtë shtet s’kam shumë të drejta, as si homoseksual as si rom”, ka thënë ai për diskriminimin në Itali.

Bajrami u lind më 1991 në Prishtinë. Familja e tij kishte jetë mesatare. Kur shpërtheu lufta, ai dhe familja e tij ikën në drejtim të Italisë.

Të qenit rom dhe homoseksual s’ka qenë kurrë e lehtë për të. “Gjithmonë kam pasur një luftë të brendshme, që njëra anë të triumfojë mbi tjetrën. Kjo më ka ndodhur edhe për të shmangur situata të rrezikshme: Ka shumë të tilla”, ka thënë ai.

Familja e tij ende është e lidhur për traditat dhe është e mësuar vetëm që burri të martohet me gruan dhe të kenë fëmijë. Për shkak të kësaj, Ervini e përjetoi tejet vështirë daljen me njoftimin se është homoseksual.

“Isha 18-vjeçar. Ishte e tmerrshme. Prindërit e mi ishin të shqetësuar se çfarë kanë bërë gabim, unë isha turpi i familjes. Isha i tmerruar, më pas kuptova se s’jam i vetmi, por se jo gjithkush ka kurajën për ta thënë. Turpi s’isha unë, por injoranca që dominon në komunitetin rom”, ka thënë ai për “osservatoriodiritti”.

Pasi doli me njoftimin, ai u detyrua të largohej nga shtëpia për të jetuar me hallën. Pas një kohe, prindërit u pajtuan dhe donin ta kuptonin se ai s’ishte i sëmurë.

“Sot ne nuk flasim për këtë, por e di se ata hyjnë në internet për të parë intervistat apo projektet e mija me komunitetin LGBT. Njerëzit më seriozë që i kam pasur i kam prezantuar. S’kam qenë kurrë eksplicit, por sigurisht disa gjëra kuptohen pa pasur nevojë për fjalë. Vëllai im tash ka miq të komunitetit homoseksual: gjithçka është më e qetë, gjërat janë më normale, s’ka më sensacion”, ka vazhduar ai.

Gjithsesi, Ervini s’u përball me krizë vetëm në familje, por edhe te komuniteti LGBT, kur tregoi se është rom.

“Shumë njerëz më pyesin nëse vjedh apo jetoj në fushë: s’e kuptojnë që po mbahen në stereotipe, nga të cilat po ndihen të turpëruar. Baza për këtë është paragjykimi dhe tallja. Edhe të diskriminuarit diskriminojnë”, ka thënë më tej ai.

Ervini ka thënë se ndihet krejtësisht italian pasi është rritur aty. Megjithatë, edhe pse ka kaluar 21 vjet në këtë shtet, ende s’ka marrë shtetësinë italiane dhe jeton me lejeqëndrim të cilin e rinovon çdo dy vjet.

Si refugjat, Ervini është shprehur i gatshëm të ndihmojë të tjerët në edukim e integrim në shoqëri duke u zotuar se do të luftojë çdo paragjykim e se s’do të ndalet në ndjekje të qëllimeve.