3 perditesime
23:32

Hoxha: Qeveria duhet ta arsyetojë 75-milionshin e ndarë për subvencionim të rrymës

Erblin Hoxha nga Lëvizja FOL thotë se Qeveria e Kosovës duhet ta arsyetojë 75 milionë euroshin që ka ndarë për subvencionimin e energjisë elektrike për dy kategori.

Ministria e Ekonomisë përmes një komunikate për media ka njoftuar se do të subvencionojë qytetarët dhe bizneset për t’i mbrojtur nga rritja e tarifave të energjisë elektrike.

Për këtë, kjo ministri është zotuar për 75 milionë euro për subvencionim të energjisë për këto dy kategori.

“Subvencionet paraqesin të ardhura për sektorin që nuk është e nevojshme të mbulohen nga tarifat e energjisë elektrike dhe rrjedhimisht, zbusin rritjen e tarifës së energjisë elektrike. Subvencioni i energjisë elektrike nga ana e Qeverisë do të ndikojë që tarifa për konsumatorët biznesor mbetet me 0% rritje, tarifa për konsumatorët shtëpiak deri në konsumin prej 600 kwh mbetet me 0% rritje, ndërsa tarifa e propozuar nga ZRRE për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kwh të reduktohet, duke pasqyruar çmimin e importit për këta konsumatorë dhe promovuar efiçiencën e energjisë”, thuhet në njoftim.

E Hoxha në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se Qeveria duhet të dalë me arsyetimin.

“Qeveria duhet të dalë me një konferencë për media, kryeministri dhe ministrat, e të arsyetohet 75-milionëshi. Edhe pse këto janë në domenin e Qeverisë, prapë ajo është kuleta jonë. Ata të themi janë menaxhues të përkohshëm të parasë publike. Nëse jepen aq lehtë 75 milionë euro pa arsyetim prapa, çfarë na garanton se pas dy-tre muajve do të vendoset të mos ndodhë një investim kapital, sepse na thuhet se duhet ta subvencionojmë rrymën. Duhet pasur parasysh se një numër i madh i qytetarëve nuk interesohen nga vijnë paratë. Thonë në rregull, nuk po i jap unë. Në praktikë janë taksat tona. Ne do të kërkojmë të ngrisim diskutim publik”, ka thënë Hoxha. “Ka qenë për ne shqetësuese që një vendim i tillë merret aq shpejt”.

23:27

Hoxha për pagesën e rrymës në veri: Diskriminim gjeografik

Erblin Hoxha, koordinatori i projekteve të Lëvizjes FOL, është deklaruar rreth pagesës së energjisë elektrike nga ana e Qeverisë së Kosovës për pjesën veriore të vendit, për çka thotë se është diskriminim gjeografik.

I ftuar në Interaktiv të KTV-së, Hoxha ka thënë se ndonëse është e kuptueshme që kjo është çështje politike, do të duhej të kishte një diskutim më të thellë edhe politik edhe ekonomik për gjetjen e zgjidhjes pasi që nga një kosto e tillë do të mund të ndikoheshin jashtëzakonisht shumë qytetarët, posaçërisht ata të shtresës së varfër.

“E kemi një pjesë të veriut që nuk e kemi diskutuar fare deri më tani e që nuk po diskutohet. Shteti ynë, qeveria çdo vit paguan për pjesën veriore, një gjë e tillë do të ndodhë edhe sivjet. Për 75 milionë ne po i subvencionojmë në janar të këtij viti, mirëpo në fund të këtij viti ne prapë do të japim një shumë 30-40 sado që është për pjesën e veriut, e në veri çfarë iniciative ka për të kursyer? Pra, është një lloj diskriminimi gjeografik, ne e kuptojmë që është çështje politike, mirëpo kjo do të duhej të ishte edhe ajo pikënisja e një diskutimi më të thellë edhe politik edhe ekonomik se si do t’ia bëjmë sepse një kosto e tillë për qytetarët, e sidomos te shtresat e varfra po ndikohen jashtëzakonisht shumë”, ka thënë ai.

I pyetur se a pritet që të ndalet shpejt kjo praktikë, Hoxha tha se një gjë e tillë është e domosdoshme.

“Mendoj që është e domosdoshme të ndalet praktika e pagesës së rrymës në veri, e kur do të ndodhë, si do të ndodhë, sot kemi parë edhe një deklaratë nga shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, që thotë se gjatë këtij viti presim zhvillime pozitive në këtë drejtim e që lë shumë për të kuptuar. Pra, ende është një nevojë për të zgjidhur një problem në nivele politike në Bruksel, diçka që ne nuk e përkrahim për shkak se është çështje e integritetit territorial dhe qasja në veri”.

23:16

Hoxha: Shtresat e ulëta dëmtohen më së shumti nga këto çmime

Koordinatori i projekteve të Lëvizjes FOL, Erblin Hoxha, ka thënë se me ngritjen e çmimit të energjisë elektrike dëmtohen më së shumti shtresa e mesme e ulët, ndërsa përfitojnë më shumë shtresa e mesme e lartë.

Hoxha kritikoi subvencionimin prej 75 milionë eurove të Qeverisë që ia bëri KEDS-it, derisa shtoi se barrën do ta vuajë shtresa e mesme e ulët.

“Një prej kritikave është edhe ky subvencionim. Sepse një vendim i Qeverisë për subvencionim 75 milionë euro është 10 për qind në investime kapitale, që është shifër jashtëzakonisht e madhe. Duhet parë se cili është plani prapa kësaj, çfarë kanë menduar. Nuk ka analizë nga Qeveria se kush do ta pësojë më së shumti nga kjo rritje. Mund të bëjmë analiza të ndryshme. Në Prishtinë në shumicën e rasteve, shtresa e mesme të ulët do të paguajë më shumë pasi paratë e të gjithë taksapaguesve do t’i distribuohen atyre që kanë më shumë para, pasi kjo shtresë harxhojnë më shumë se 600 kWh rrymë brenda muajit. Ndërsa shtresa e varfër do të paguajë më shumë. Ata që sot më së shumti vuajnë nga këto ngritje çmimesh. E vetmja që po mbetet konstante është paga, ndërsa kostoja e ushqimit, e jetesës po rritet. Shumicën e barrës të kësaj politike shtresa e mesme e ulët do ta vuajë më shumë, ndërsa përfitimet do t’i ketë shtresa e mesme e lartë”, ka thënë Hoxha në “Interaktiv” të KTV-së.

23:07

Hoxha për ngritjen e çmimit të rrymës: Kjo më shumë i konvenon KEDS-it

Erblin Hoxha nga Lëvizja Fol ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk po arrin ta menaxhojë mirë situatën me energjinë elektrike, duke përmendur nivelin e lartë të ngritjes së çmimeve në sektorë të tjerë si barrë shtesë për qytetarët, shtuar edhe atë të rrymës së fundmi.

Hoxha ka thënë se sa i përket rritjes së çmimit të rrymës apo gjendjes në përgjithësi nuk ka pasur sqarim të duhur për qytetarët, madje as për mediat nga institucionet.

Sipas Hoxhës, ngritja e çmimit të rrymës i shkon për shtati më së shumti KEDS-it. 

“Këto politika apo ky propozim i shkon për shtati KEDS-it si kompani private që kërkon ngritje të çmimit të energjisë edhe pse për disa muaj kemi pasur pakënaqësi për reduktime. Një shumë kaq e madhe për qytetarët është problem me bë lidhshmërinë pse po ndodhë kjo. Është një kosto jashtëzakonisht e madhe e çmimeve përderisa e kemi një subvencionim nga Qeveria që janë taksa tona”, ka thënë ai në Interaktiv.