Arbëri

Xhaçka në KS të OKB-së përmend gratë e përdhunuara gjatë luftës në Kosovë

Ministrja e jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, gjatë mbledhjes në Këshillin e Sigurimit në OKB theksoi se nuk mund të ketë paqe pa gratë. Në mbledhjen me temë “Gratë, Paqja dhe Siguria” tha se kjo çështje është prioriteti kryesor i agjendës së Shqipërisë për dy vitet e ardhshme.

Xhaçka tha se gratë ndër vite janë ndjerë të shtypura e se ndaj tyre u ushtrua dhunë, teksa përmendi gratë në Kosovë që u përdhunuan, torturuan e u vranë gjatë luftës.

“Është një e vërtetë e trishtuar e historisë, por është gjithashtu një e vërtetë e trishtuar e ditëve dhe epokës tonë që ndërsa burrat aktualisht shkaktojnë pjesën më të madhe të luftimeve, gratë shpesh mbajnë peshën kryesore të tyre. Nuk e them këtë si një slogan klishe. E them si një mësim që ne shqiptarët e kemi nxjerrë nga historia jonë. E pamë këtë në Kosovë. Gratë u lanë pas për t’u kujdesur për familjet e tyre, gratë u lanë pas për të mbledhur pjesët e mbetura. Gratë përdhunoheshin, torturoheshin dhe vriteshin si shënjestra të qëllimshme të një fushate kriminale të spastrimit etnik”, ka thënë ajo.

Kjo, shtoi Xhaçka, shihet edhe në vendet tjera në botë sot duke përmendur aktivistet të cilat përballen me kërcënime.

“Aktivistet gra përballen me kërcënime dhe rreziqe, ku përfshihen ndalimet arbitrare, rrëmbimet e zhdukjet nga autoritetet qeveritare, madje edhe vrasje nga autoritetet qeveritare, jo vetëm për shkak të rreziqeve të zakonshme që vijnë me aktivitete e tilla në zonat e konfliktit, por edhe për faktin që janë gra”.

Ndërkaq, krenare u paraqit kur përmendi Shqipërinë. Ministrja ka thënë se Shqipëria renditet aktualisht ndër 5 qeveritë e para me barazi gjinore të balancuar, me 75% të posteve ministrore të mbajtura nga gratë. “Një përqindje e ngjashme e posteve ekzekutive të nivelit të lartë dhe të mesëm, si dhe disa nga postet kryesore më të larta publike – duke përfshirë institucionet e pavarura, agjencitë, departamentet në fusha kyçe të shtetit – mbahen nga gratë”.

Xhaçka ka paraqitur katër pika për mbrojtjen e grave: vënien në dispozicion të burimeve për organizatat e OKB-së për mbrojtje për gratë, krijimin e mekanizmave financues për të vepruar shpejt kur gratë liderë përballen me kërcënime, rritjen e fondeve për organizatat dhe lëvizjet për të drejtat e grave, dhe rritjen e llogaridhënies në lidhje me gratë.