2 perditesime
23:26

Sela: Partitë shqiptare në Maqedoni votuan një program që e përkrah “Ballkanin e hapur”

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, ka thënë se opinioni në Kosovë është helmuar me gënjeshtra.

Ai ka thënë se në zgjedhjet e fundit lokale kanë pasur bashkëpunim me VRMO-në në disa vende.

Sipas tij, ai ka pasur ofertë për Bashkimin për Integrim në zgjedhjet lokale, por kësaj oferte, ai thotë se iu përgjigjen duke shpallur koalicion Ali Ahmeti me Zoran Zaevin.

“Për sa kohë jam kryetar i një subjekti politik, nuk do të lejojë komoditetin asnjë subjekti politik maqedonas qe të jetë i sigurt në pozicionet e veta dhe t’iu garantojë pushtet të pakufishëm. Nuk ka qenë i padhembshëm koalicioni atëherë, por unë kam obligime ndaj qytetarëve shqiptarë. Ne kemi fituar tri komuna. Patëm fituar edhe në Dibër por na i vodhën votat”, ka thënë ai.

Sela ka thënë se “Ballkani i hapur” është pjesë e programit qeveritar të kryeministrit të ri, që u votua nga partitë shqiptare.

Sipas tij, në sytë e Serbisë kjo është vetëm anashkalim i njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Ai ka thënë se cili është mesazhi që i jepet Evropës kur shqiptarët e pranojnë këtë iniciativë.

23:19

Sela: Programi qeveritar nuk u ofron asgjë shqiptarëve

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoni të Veriut, Ziadin Sela, thotë se përkundër faktit se dhjetë ministra janë nga radhët e shqiptarëve në qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut, ajo nuk ofron asgjë për shqiptarët.

Sela ka thënë se programi i Qeverisë në Maqedoninë e Veriut nuk u ofron asgjë shqiptarëve, ndërsa ai ka krahasuar gjendjen në Maqedoninë e Veriut me atë që ishte në ish-Jugosllavi në vitet e 80-ta.

“Të paktën ne këtu dhe opinioni në Kosovë e kemi parasysh strategjinë e sistemit ish-jugosllav, kur vepronte mbi parimin e dhënies së privilegjeve elitës politike shqiptare të atëhershme. E ai që vuante çdo ditë e diskriminohej në të gjitha format nga vrasjet, proceset politike e burgosjet, ishte qytetari i thjeshtë. Është e njëjta strategji”, ka thënë Sela në Interaktiv të KTV-së. “Mos të harrojmë se shqiptarët në vitet e 80-a kishin edhe president të shtetit për një periudhë kohore, Sinan Hasanin, në kohën kur më tepër ishte i theksuar diskriminimi. Në konceptin tonë politik si Aleancë për Shqiptarët jemi më tepër të përkushtuar të sillet një ligj, e jo të emërohet ndonjë funksioner. Programi qeverisës nuk sjell asgjë për shqiptarët. Janë numëruar disa projekte, që numërohen e shkruhen në letër për çdo program e çdo buxhet. Janë dy dekada që shkruhen”.

Ai ka përmendur edhe rastin e migrimit të popullatës nga Maqedonia e Veriut, veçanërisht të shqiptarëve.

“Në programin e djeshëm për projekte që janë në zona shqiptare, nuk ekzistojnë afate, as mjete madje, vetëm thuhet se do të përgatitet dokumentacioni teknik. Jemi mësuar ta shohim në vazhdimësi këtë. Prandaj nuk është rastësi që vijmë në situatë ku Kosova e ka sjellë deri në kufi autostradën ‘Arbën Xhaferi’ e Maqedonia me vite të tëra nuk i bën vetëm 15 km autostradë që ta lidhet kjo e të vazhdojë deri në Shkup. Prandaj nuk shoh asgjë. Sa i përket migrimit të popullatës është e vërtetë. Është e vërteta e dhimbshme që flet më zëshëm se çdo deklaratë e ndonjë politikani. Rezultatet maten me qindra e mijëra shqiptarë që kanë lëshuar vendin”, ka thënë Sela. “Ishte paturpësi që në program qeveritar shkruhet se hapësirat bosh të spitaleve do të kthehen në shtëpi të pleqve. Kështu ndodh kur boshatiset vendi, kur shtëpitë ngelin boshë e kur nuk dëgjohen zëra fëmijësh, por jetojnë pleq. Kemi objekte shkollore me bollëk që mund të shndërrohen në shtëpi të pleqve”.

23:01

Sela: Kovaçevski s’ka legjitimet, nuk u zgjodh me votat e qytetarëve

Zijadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët ka thënë se qeveria e re në Maqedoninë e Veriut nuk ka legjitimitet.

Sipas tij, kryeministri Dimitër Kovaçevski nuk ka garuar dhe nuk është zgjedhur nga qytetarët.

Sela ka thënë se ai e ka të kontestuar legjitimitetin dhe nuk ka obligim para qytetarëve sepse nuk ka premtuar gjë.

“Akteri që e ka legjitimitetin e kontestueshëm është Bashkimi Demokratik për Integrim. Në zgjedhjet e 2020 erdhi me premtimin për kryeministër shqiptar. Ky kryeministër nuk u bë as atëherë e as mbrëmë dhe kështu e dogji legjitimitetin politik”, ka thënë ai.

Sipas tij të godasësh mbi opozitën është si të godasësh qytetarët.

Ai ka thënë se premtimi për zgjidhje të ngërçit me Bullgarinë është vetëm një gënjeshtër.

Sela ka deklaruar se janë heshtur zërat për ndonjë zgjidhje të mundshme.

“Janë shqetësuese për ne shpresa e rrejshme që jep kjo qeveri”, ka thënë ai.