Arbëri

ZRRE-ja propozon rikthimin e blloktarifave

Descriptive Text

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar rikthimin e blloktarifave të energjisë.

Konsumatorët që konsumojnë mbi 600 kilovatë do të paguajnë dyfish të çmimit aktual.

Ky institucion në raportin konsultativ të publikuar të hënën parasheh dy propozime.

Propozimi i parë përveç blloktarifave parasheh edhe një rritje prej 9 për qind edhe për konsumatorët që shpenzojnë më pak se 600 kilovatë.

Por sipas raportit nëse Qeveria përmbush zotimin për subvencionim prej 75 milionë eurosh, konsumatorët që shpenzojnë më pak se 600 kilovatë nuk do të kenë ndryshim të tarifave.

Për konsumatorët që shpenzojnë 800 kilovatë me rritjen e aplikuar do të kenë një faturë prej 59.50 eurosh apo 12.31 euro më shumë se fatura që kanë paguar deri më tani.

Kurse konsumatorët që do të konsumojnë 1000 kilovatë dhe që deri tash kanë paguar 58.52 euro do të paguajnë 83.14 euro apo një rritje prej 23.6 eurosh.

Qytetarët kundërshtojnë rritjen e mundshme të çmimit të energjisë dhe thonë se këto do të jenë të përballueshme.

Paralajmërimet për rrije të çmimeve janë kundërshtuar edhe nga kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ka thënë se AAK-ja ka thirrur debat parlamentar për ngritjen enorme të çmimeve të artikujve elementarë.

“Ndërkohë veç paska rrjedhur një propozim i ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës, që për konsumatorin mesatar familjar mund të mbërrijë mbi 80 për qind. Kjo është e papërballueshme. Prandaj i bëj thirrje Qeverisë që në këtë periudhë, kur inflacioni ka rritur çmimin e shportës së përditshme të qytetarëve, të ndajë buxhet për mbulimin e kostos shtesë nga çmimi i tanishëm i energjisë. Kjo s'duhet të mbetet në nivel diskutimi të papërcaktueshëm të Qeverisë”, ka shkruar Haradinaj.

Propozimi i ZRRE-së do t’iu nënshtrohet konsultimeve publike, që janë të hapura deri më 28 janar. Qytetarët do të mund të dërgojnë komentet e tyre në adresën elektronike të ZRRE-së.