Arbëri

Cahani: Komunat i nënshkruan kontratat e mëdha afër zgjedhjeve

Naim Cahani nga KDI ka folur për shpenzimin e parasë publike në kategorinë e subvencioneve dhe investimet kapitale në nivelin komunal.

Ai ka thënë se ideja ka qenë me shiku nëse kryetarët e komunave i shfrytëzojnë asestet publike për të ndikuar te elektorati.

Sipas tij, përqendrimi i nënshkrimit të kontratave të mëdha ka qenë në muajt para zgjedhjeve, përkatësisht tre muajt e fundit.

Cahani ka thënë se gjashtë komunat e mëdha, përjashtim Prishtinës, nuk e kanë respektuar periudhën e planifikimit.

“Implikimi i kontratave ka të bëjë komplet me elektoratin. Kur ne në shtator i lidhim kontratat, mundësia që elektorati ta mbështetë një parti është shumë më e madhe. Kapaciteti i komunave është shumë i vogël për të menaxhuar kontratat. Vet fakti që i lë në fund të vitit kontratat, mundësia për kontroll është më e vogël”, ka thënë ai në emisionin “60 minuta” në KTV.

Ai tutje ka shtuar se edhe nga auditori është thënë se ka lëshime të konsiderueshme nga niveli lokal.

Sipas tij, në kuadër të planit të prokuroimit janë paraparë rrjedhat se si do të shkojë ky plan i prokurimit, i cili është zhvendosur në prag të zgjedhjeve.

Cahani tutje ka thënë se komuna e Gjakovës kontratat i ka përqendruar në muajin shtator, ndryshe nga komuna e Prishtinës e cila nuk ka lidhur kontrata afër muajve zgjedhor.

Sipas tij, planifikimi i investimeve kapitale nga niveli qendror në nivelin lokal nuk ka qenë i mirë, duke shtuar se ka pasur disproporcion të shpërndarjes së investimeve.

“Edhe te subvencionet, është vërejtur një trend i rritjes së shpenzimeve të vazhdueshme nga fillimi i mandatit në fund. Kemi shumë marramendëse të kësaj kategorie. Në Prishtinë ka pasur rritje për 640 për qind në vitin e fundit të mandatit, krahasuar me fillimin e mandatit”, ka thënë ai.

Cahani ka thënë se kanë dërguar edhe informata në Prokurori për disa dyshime që ata i kanë hasur gjatë hulumtimeve.