2 perditesime
19:07

Erdogan në Parlamentin e Shqipërisë: Kemi 600 vjet miqësi, tani edhe aleatë strategjikë

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, në fjalimin e tij sot në Kuvendin e Shqipërisë, deklaroi se Turqia dhe Shqipëria kanë lidhje të forta historike dhe janë aleatë strategjikë.

Erdogan përmendi njohjen e menjëhershme të Kosovës si shtet i pavarur, ndërsa tha se dy popujt janë miq që prej 600 vjetësh.

“Edhe pse ka kufij fizik mes nesh, për ne Shqipëria është fqinji ynë në zemër. Marrëdhëniet tona janë të rrënjosura në një histori të gjatë dhe të fortë, që përfshinë gati 6 shekuj. Gjurmët e historisë sonë të përbashkët nuk janë vetëm në jetën politike, ato i gjen në ndërtesat e ngurta të Shkodrës. Marrëveshjet tona të bashkëpunimit, të cilat rrënjët i kanë të thella dhe po aq tradicionale, janë shumë të forta dhe të palëkundura”, tha ai.

Erdogan tha se njohin rolin konstruktiv që Shqipëria ka luajtur në Ballkan. Ai përmendi edhe njohjen e menjëhershme të Kosovës si shtet i pavarur.

“Krijimi një mjedisi të përhershëm paqeje, besimi dhe stabiliteti në Ballkan, sigurimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal janë ndër prioritetet kryesore të politikës së jashtme turke. Në këtë aspekt, ne ndjekim me vlerësim rolin konstruktiv që ka luajtur Shqipëria në Ballkan. Dhe për njohjen e Kosovës si shtet I pavarur qoftë nga aleatët e NATO-s, kështu që roli i Shqipërisë I cili është servirur në Ballkan, ka qenë konstruktiv”, tha ai.

Erdogan tha se partneriteti strategjik Shqipëri-Turqi është, siç u shpreh ai, panorama e asaj që shohim sot.

“Kur Turqia dhe Shqipëri të bashkojnë duart me lejen e të madhit Zot, nuk do të ketë asnjë problem që nuk mund të kapërcejë apo ta zgjidhim… Për sa kohë ne mbrojmë fort vëllazërinë, qasjen gjithëpërfshirëse, qëllimet tona, të përbashkëta dhe vendosmërinë tonë për të çuar përpara bashkëpunimin tonë, unë sinqerisht besoj se së bashku nuk do të lejojmë askënd të prishë këtë panoramë të bukur dhe kaq të këndshme siç po e shikojmë të gjithë së bashku”, theksoi ai.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla theksoi se solidarizimi dhe mbështetja në ditët e vështira të tërmetit dhe pandemisë reflektojnë më së miri marrëdhëniet vëllazërore midis Shqipërisë dhe Turqisë.

“Solidarizimi dhe mbështetja në ditët e vështira të tërmetit dhe pandemisë reflektojnë më së miri marrëdhëniet vëllazërore që janë midis popujve tanë. Marrëdhëniet tona nuk janë thjesht vëllazërore, solidare e njerëzore, Shqipëria dhe Turqia janë partner të besueshëm në NATO dhe në përpjekjet e përbashkëta për zhvillim, për siguri, për fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet në rajon, kontinent e më gjerë”, tha Nikolla.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot dorëzuan çelësat e apartamenteve në Laç për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Zona 1 e lagjes së re në Laç, projekti i financuar nga Turqia, ka 522 apartamente, 13 banesa kolektive dhe 26 hyrje pallatesh. Pjesë e lagjes së re janë edhe 25 njësi shërbimi, 380 vende parkimi, një qendër tregtare me 12 njësi shërbimi, një kënd lojërash dhe hapësira të gjelbra. Kostoja e këtij projektit është rreth 42 milionë euro./KSP

18:55

Erdogan në Tiranë: Të merren hapa të shpejtë kundër strukturimit të Fetos në Shqipëri

Përmes nënshkrimit të marrëveshjeve dhe disa projekteve në të cilat po investon Turqia në Shqipëri, të dy vendet po synojnë thellimin e bashkëpunimit.

Sipas kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, Bashkimi Evropian nuk duhet të shqetësohet për marrëdhëniet e ngushta në mes të dy vendeve, marrëdhënie këto të cilat sipas presidentit turk Recep Tayyip Erdogan janë vëllazërore.

Në një konferencë për media, presidenti turk ndër të tjera ka thënë se presin që Shqipëria të ndërmarrë hapa të shpejtë e konkret kundër strukturimit të organizatës Feto në Shqipëri.

Pas nënshkrimi të marrëveshjeve dhe takimit me kryeministrin e Shqipërisë, presidenti turk ka thënë se pjesë diskutimit ishte edhe lufta kundër organizatës Feto, të cilën Erdogan e ka quajtur terroriste.

“Është e qartë se kjo strukturë, e cila i ka duart e lyera me gjakun e të pafajshmëve, përbën një kërcënim të madh jo vetëm për Turqinë, por edhe për çdo vend ku ajo është e pranishme. Fakti që Feto është ende në gjendje të gjejë fushëveprimin në vendin mik dhe vëlla Shqipërinë, e lëndon thellë popullin tonë, bijtë e bijat, e të cilit kanë rënë dëshmorë. Pritshmëria jonë më e sinqertë është që në periudhën që kemi përpara të merren hapa më konkret vendimtar dhe hapa më të shpejtë kundër strukturimit të Feto-s në Shqipëri”, ka thënë Erdogan.

Në konferencë, Erdogan dhe Rama kanë përmendur bashkëpunimin në mes të dy shteteve dhe ndihmën që Turqia do të vazhdojë t’i jap Shqipërisë në shumë fusha.

Derisa është pyetur nëse Bashkimi Evropian duhet të shqetësohet për marrëdhëniet e ngushta në mes të Shqipërisë dhe Turqisë dhe ndihmën e vazhdueshme që po jep kjo e fundit, Erdogan ka thënë se krejt kjo po bëhet bazuar në rregullat e vëllazërisë dhe jo të së drejtës së detyrimeve.

“Ne po flasim për një situatë siç është rasti pas tërmetit që është një marrëdhënie që rregullohet sipas rregullave të vëllazërisë dhe jo sipas rregullave të së drejtës së detyrimeve. Prandaj, ne ndërtuam këtë projekt në mënyrë shumë të shpejtë, të njëjtën gjë jemi duke bërë edhe me vepra historike dhe të gjitha i bëjmë bazuar në rregullat e vëllazërisë, dhe përsëri bazuar në rregullat e vëllazërisë ne do të vazhdojmë restaurime e ndërtime të reja dhe mos kërkoni asnjë gjë tjetër poshtë kësaj sepse ne jemi vëllezër, nuk dihet se çfarë do të ndodh ndoshta, pyetje nuk duhet se çfarë do të ndodhi, asnjëherë nuk duhet ta vini në mëdyshje këtë gjë”, ka thënë Erdogan.

Ndërsa kryeministri Edi Rama ka thënë se askush nuk duhet të shqetësohet për marrëdhëniet e ngushta në mes të dy shteteve.

“Unë nuk besoj se kushdo qoftë në Shqipëri apo Bashkimin Evropian duhet të shqetësohet për këtë marrëdhënie mes të dy vendeve, sepse kjo është një marrëdhënie tradicionale edhe në kohën kur Shqipëria ishte një vend shumë i mbyllur prapë marrëdhënia me Turqinë ishte aty si një vazhdimësi e një tradite. Ndërkohë që kur vjen puna të marrëdhënia ime me presidentin Erdogan, e përsëris nuk ka përsëri asgjë për t’u shqetësuar përkundrazi janë për të qeshur shumë nga ato që thuhen dhe çuditërisht thuhen jo vetëm nga konspiracionistët këtu, por edhe nga njerëz seriozë edhe në hapësirën e Bashkimit Evropian. Por e vërteta është që janë disa gjëra që nuk zhbëhen, unë nuk di një qeveri tjetër përveç qeverisë së presidentit Erdogan asokohe kryeministër i Turqisë, që të jetë mbledhur në sesion të jashtëzakonshëm për të ndjekur direkt punimet e Parlamentit të Kosovës dhe për ta njohur Kosovën në mbledhjen e Qeverisë së vet si shtet sovran dhe të pavarur, në atë moment që votoi Parlamenti i Kosovës. Këtë e ka bërë zotëria që është në krahun tim këtu”, ka thënë Rama.

Rama ka thënë se roli i Turqisë në rajon është i pazëvendësueshëm dhe në funksion të paqes.

“Roli i Turisë në rajonin tonë është i pazëvendësueshëm, i patjetërsueshëm dhe pa diskutim një rol konstruktiv në funksion të paqes, të gjitha ato hijet e hedhura mbi Turqinë apo mbi presidentin rezultojnë të jenë filma, filma të imagjinatës dhe të interpretimeve të bëra, por që nuk gjejnë përputhje në realitet... Ju them të gjithë shqiptarëve që sa herë bëhen këto takime dhe ndahen midis jemi me Turqinë apo jemi me Bashkimin Evropian, jo, ne jemi me Shqipërinë dhe pikërisht pse jemi me Shqipërinë jemi miq të ngushtë me Turqinë jemi edhe aleatë strategjik me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kemi edhe partnerët e tjerë dhe nuk jemi këtu për të bërë një zgjedhje o këtej o andej”, ka thënë Rama.

Në konferencën për media, presidenti turk ka thënë se Turqia do të punojë për qetësinë dhe stabilitetin në Ballkan.

“Ne jemi një nga anëtarët më të fuqishëm të NATO-s dhe mendojmë që hapat që do të hidhen në lidhje me NATO-n do të jenë të rëndësishme dhe në do të vazhdojmë të bëjmë detyrat tona siç kemi bërë deri më sot. Në lidhje me Ballkanin, sidomos në takimet dy palësh me miqtë tanë, me mikun tim, jemi të mendimit se është shumë e rëndësishme qetësia dhe qëndrueshmëria e Ballkanit, prandaj ne do të bëjmë siç kemi bërë deri më sot për qetësinë dhe për stabilitetin e Ballkanit, për vendosjen e paqes në Ballkan, duke siguruar një të ardhme me paqe dhe do të jemi nga vendet që e garantojnë këtë”, ka thënë ai.

Derisa është folur për projektet e përbashkëta, kryeministri Rama ka thënë se tashmë është realitet futja e gjuhës shqipe si gjuhë me përzgjedhje në të gjithë arsimin turk, projekti i monitorimit të të rrugëve të Shqipërisë me kamera inteligjente, projektligji për parqet e reja teknologjike dhe siç ka thënë ai tani po merr formë projekti i parkut të parë teknologjik falë asistencës së palës turke dhe mbështetjes së drejtpërdrejt të Erdogan.

Rama ka thënë se janë duke bashkëpunuar për të rritur kapacitetet e inteligjencës në fushën e te ardhurave doganore dhe tatimore dhe se po punohet në fuqizimin e marrëdhënieve ekomomike për të rritur volumin tregtar. Sipas kryeministrit të Shqipërisë do të rriten edhe marrëdhëniet në fushën e turizmit.

“Ne nuk jemi xhelozë, por se si na vjen kur shohim që janë miliona turistë nga Turqia që shkojnë në vendet fqinje në rajon dhe Shqipëri numri i turistëve nga Turqia nuk përputhet fare me shkallën e dashurisë mes popujve dhe nivelit të marrëdhënieve shqiptare turke. Kështu që ky është një objektiv për të cilin kemi diskutuar sot me presidentin”, ka thënë Rama.

Të dy qeveritë, ndër të tjera kanë nënshkruar sot marrëveshje për bashkëpunim në fushën e trajnimeve dhe zbatimin e ligjit e në fushën e rinisë dhe sporteve. /KSP

17:07

Nënshkruhen shtatë marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe turke

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan kanë nënshkruar sot shtatë marrëveshje mes dy qeverive.

Së pari, u firmos një marrëveshje bashkëpunimi mes Agjencisë Anadolu dhe Agjencisë Telegrafike Shqiptare.

Më pas, një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin në fushën e trajnimeve për zbatimin e ligjit ndërmjet qeverisë së Turqisë dhe Shqipërisë.

Dy ministrat e arsimit, firmosën një memorandum mirëkuptimi për Bashkëpunimin në Fushën e Rinisë dhe Sporteve.

Takimi i tyre në Kryeministri, që do të pasohet nga një konferencë e përbashkët për shtyp, ndërsa pritet që Erdogan do të marrë pjesë dhe në ceremoninë e inaugurimit të xhamisë së Et’hem Beut në kryeqytet.

Erdogan do të ngjitet edhe në foltoren e Kuvendit të Shqipërisë, nga ku do mbajë një fjalim përshëndetës./tch