Arbëri

Escobar: Sanksionet, të rëndësishme për stabilitet në Ballkan, do të ketë të tjera

Sanksionet nuk janë mjeti kryesor i angazhimit amerikan në Ballkanin Perëndimor, por ato kanë efekt dhe do të ketë edhe të tjera në vazhdim, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, Zëvendësmdihmës Sekretari i Shtetit dhe i Dërguari Special për Ballkanin, Gabriel Escobar.

I fundit që iu nënshtrua sanksioneve të SHBA-së, është përfaqësuesi serb në Presidencën e Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik. Ndaj tij, SHBA-ja vuri sanksione pasi po punon në pavarësimin e Republika Srpskas, përkatësisht në prishjen e Marrëveshjes së Daytonit që i dha fund luftës në Bosnjë më 1995.

“Nuk dua që njerëzit të mendojnë se Shtetet e Bashkuara po angazhohen në rajon kryesisht përmes sanksioneve. Ne kemi shumë mundësi për të çuar përpara agjendën e partnerëve tanë, për të çuar përpara agjendën e njerëzve që përfaqësojnë me të vërtetë aspiratat e popujve të tyre”, tha ai, teksa foli edhe për sanksionet që SHBA-ja i vuri një grupi të serbëve të Kosovës, në krye me Zvonko Veselinoviqin dhe Milan Radoiçiqin. ”Kjo administratë (e Bidenit v.j.) është shumë e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe një nga mjetet në këtë luftë janë sanksionet. Dhe mund të them PO, do të ketë më shumë, por ky nuk do të jetë mjeti kryesor i angazhimit tonë. Për më tepër, më duhet të sqaroj gjithashtu se këto sanksione nuk janë kundër vendeve. Ato nuk synojnë popuj të veçantë. Ato synojnë individë që janë thellësisht të përfshirë në korrupsion”.

Escobar foli edhe për dialogun Kosovë – Serbi dhe tha se ky proces duhet të shkojë sipas agjendës së BE-së, që është edhe lehtësuese.

“Bashkimi Evropian ka një ndërmjetës në dialog dhe duhet të mbetet i tillë, ne e mbështesim plotësisht. Sa i përket mënyrës sesi do të formohet agjenda, kur do të caktohen takimet e radhës, këto pyetje do t'ua lija kolegëve të mi në Bashkimin Evropian. Ne besojmë se palët duhet të bien dakord brenda strukturës së dialogut të udhëhequr nga BE-ja. Dhe në këtë drejtim, çfarëdo që ato bien dakord, ne do ta mbështesim zbatimin”, tha Escobar.