Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Krasniqi: S’marrim pjesë në seancë, s'bëhemi pjesë e ikjes së Kurtit nga përgjegjësia

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se PDK-ja i ka shprehur qëndrimet e saj për referendumin serb dhe se nuk ka asnjë aryse që të mblidhet Kuvendit për të diskutuar më shumë për këtë temë.

Sipas tij, nëse qëllimi i seancës së sotme të jashtëzakonshme është që Kurti ta gjuajë përgjegjësinë ndaj Qeveria te Kuvendi, atëherë siç ka thënë, ai po frikësohet.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Partia Demokratike e Kosovës dhe partitë e tjera opozitare i kanë shprehur qëndrimet e tyre që janë në linjë me qëndrimin e Qeverisë. Andaj, çfarë arsye ka që të mbledhet Kuvendi për të diskutuar më shumë për këtë temë? Për t'ia rishprehur këto qëndrime njëri-tjetrit? Apo për të gjuajtur përgjegjësinë nga Qeveria te Kuvendi? Nëse ky është qëllimi, atëherë Kryeministri po frikësohet. Sepse, kompetenca dhe autoriteti është i Qeverisë për të vendosur moslejimin e referendumit dhe për ta zbatuar atë vendim. Pse pra kërkon Kryeministri seancë, nëse ligjërisht kjo është e panevojshme?”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Sipas tij, referendumi i Serbisë në Kosovë do të ishte antikushtetues dhe si i tillë është i papranueshëm dhe nuk duhet lejuar, duke shtuar se Kushtetutën e ruajnë instrumentet e pushtetit ekzekutiv e jo Rezolutat e Kuvendit.

“Prandaj, PDK sot nuk merr pjesë në seancë, sepse nuk duam që të bëhemi pjesë e ikjes së Kryeminstrit nga përgjegjësia e tij ligjore e kushtetuese e as pjesë e shout të tij politik të paramenduar. Krejt çka duhet të bëjë Kryeministri është që të mos tërhiqet nga qëndrimi i tij dhe të sigurojë zbatimin e vendimit për të mos lejuar mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë. Ai për këto veprime e ka mbështetjen edhe të partive opozitare, andaj nuk ka nevojë të fshihet pas seancës së sotme të Kuvendit”, ka përfunduar shkrimin e tij Krasniqi.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit lidhur me kërkesën e Serbisë për mbajtjen e referendumit të saj brenda Kosovës, për ndryshime kushtetuese, do të mbahet sot në ora 14:00.