Arbëri

Petkoviq: Policia e Kosovës konfiskoi në Merdar material për referendumin serb

Sipas mediave serbe të cilat kanë cituar Petar Petkoviqin, mbrëmjen e së premtes Policia e Kosovës ka arrestuar Marko Jankoviqin, koordinatori serb i Komisionit Republikan të Zgjedhjeve, dhe ka konfiskuar material zgjedhor për referendumin e të dielës.

Petkoviq ka thënë se materialin zgjedhor në Merdar është dashur ta marrë përsipër misioni i OSBE-së në Kosovë, por që Jankoviqi është pritr nga 10 vetura të Policisë së Kosovës aty, shkruan Kossev.

Në disa video që janë shpërndarë, shihen kamionët e Serbisë në kufi dhe kur flasin shoferët me policët, por nuk shihet se dikush është arrestuar.

Nga Petkoviqi është thënë se kanë qenë dy kamionë me material dhe se përveç Jankoviqit, janë arrestuar edhe shoferët e kamionëve.

Një ditë para referendumit serb për ndryshime kushtetuese, ende nuk dihet se a do të lejohen serbët e Kosovës të votojnë. Qeveria e Kosovës dhe spektri politik e kanë kundërshtuar këtë, duke thënë se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në Kosovë përbën shkelje kushtetuese dhe të ligjeve të Kosovës.

Ai ka njoftuar mëngjesin e së shtunës se ata janë liruar.

“Ne i liruam njerëzit tanë, por Policia e Kosovës dhe Prishtina konfiskuan materialin për votim në referendum, gjë që është në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet”, tha Petkoviq.

KOHA ka provuar ta kontaktojë Policinë e Kosovës, por deri në publikim e artikullit nuk ka marrë përgjigje.