Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ka thënë se mësimi ka nisur mirë këtë javë me skenarin e rikthimit në shkolla, porse janë të gatshëm për mësim online në rast të rritjes së numrit të rasteve të infektimit. Ai ka bërë thirrje për vaksinim të nxënësve derisa ka njoftuar gjithashtu se brenda tre muajve të parë do të punësohen 100 asistentët e paraparë me buxhet për asistimin e fëmijëve me nevoja të veçanta
Ministria e Arsimit është shprehur e gatshme për mësim online në rast të rritjes së numrit të rasteve të infektimit me COVID-19, që do të çonte deri në mbylljen e shkollave. Por, për t’i mbajtur shkollat hapur, zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, thotë se krahas mësimdhënësve duhet të vaksinohen edhe grupmoshat e lejuara të nxënësve. Deri më tash, ndonëse nuk kanë shifra të sakta, Pupovci thotë se numri i nxënësve të vaksinuar nuk është i kënaqshëm.
“Shkallën e vaksinimit në mesin e mësimdhënësve e kemi të lakmueshme, diku rreth 95%. Por, kjo nuk mund të thuhet edhe për nxënësit, studentët, si dhe komunitetin në përgjithësi. Edhe pse shkalla e vaksinimit në Kosovë është më mirë sesa në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Shfrytëzoj rastin që në emër të Ministrisë së Arsimit t’i ftoj edhe një herë të gjithë nxënësit 12 vjeç e më sipër, studentët dhe familjarët e tyre të vaksinohen sepse në këtë formë kontribuojnë që institucionet arsimore të mbeten të hapura”, ka thënë Pupovci.
Në këtë konferencë për medie, MASHTI bëri të ditur se brenda tre muajve të parë të këtij viti do të punësohen 100 asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta. Në buxhetin për vitin 2022, Qeveria ka ndarë mjete për punësimin e 400 asistentëve të rinj, të cilët do të punësohen nga 100 për çdo vit, gjatë katër vjetëve të mandatit. Ndarja e tyre nëpër komuna, ai ka thënë se është bërë nëpërmjet grantit specifik të arsimit dhe komunat janë përcaktuar se nga sa asistentë u nevojiten. 100-shi i parë, sipas zëvendësministrit, nuk do të mund t’i përmbushë nevojat nëpër komuna, porse zbrazëtirat do të përmbushen për secilin vit gjatë punësimit të të rinjve.
“Plani është që punësimi i tyre të bëhet gjatë tre muajve të parë të këtij viti. Për këtë qëllim, ministria i ka njoftuar ditën e djeshme drejtoritë komunale të arsimit për procedurat që duhet të zbatojnë në rastin e punësimit, sepse ata do të punësohen nga drejtoritë komunale. Po ashtu, do të ushtrojmë edhe një lloj të monitorimit në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe të Financave, që të sigurohemi se ky proces po kryhet ashtu siç është planifikuar”, ka deklaruar Pupovci.
Në këtë konferencë u bë e ditur se gjatë kësaj jave është konstituuar edhe Këshilli Kombëtar i Shkencës, i cili ka qenë në program të Qeverisë dhe i cili ishte emëruar vitin e kaluar nga Kuvendi i Kosovës.