Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ka thënë se kërkesa e Serbisë për mbajtjen e referendumit ndryshe nga dy opsionet e ofruara nga Qeveria e Kosovës, është vetëm pretekst për destabilizim eventual të Kosovës dhe rajonit.
Ahmeti përmes një statusi në Facebook ka thënë se e drejta e votimit nuk i mohohet asnjë qytetari serb në Kosovë, mirëpo ajo nuk mund të manifestohet duke shkelur sovranitetin e vendit.
“E drejta e votimit nuk po i mohohet asnjë qytetari të Serbisë në Republikën e Kosovës. Por, kjo e drejtë nuk mund të manifestohet duke shkelur sovranitetin e vendin. Përderisa janë dy mundësi të lehta votimi për këta qytetarë, nëpërmjet postës dhe nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Republikën e Kosovës, çfarëdo kërkese shtesë nga Serbia është vetëm preteks për destabilizim eventual të vendit e rajonit. Si Republikë, jemi të barabartë mes fqinjëve tanë në rajon, prandaj duhet t’i shohim edhe praktikat e tyre në raport me pakicat serbe dhe me këtë proces votimi. Për më tepër, ne synojmë anëtarësimin në BE dhe duhet t’i shohim edhe praktikat e vendeve anëtare të cilat kanë pakica serbe”, ka shkruar Ahmeti.
Ai ka shtuar se kërkesat e paarsyeshme të Serbisë nuk mund të legjitimohen nga praktikat e kaluara të cilat kanë shkelur sovranitetin e Kosovës.
Ndërkohë, shtetet e QUINT-it dhe BE-ja i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të premten, që të lejojë mbajtjen e referendumit.
“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet në deklaratë”, thuhet në deklaratën e përbashkët të shteteve të QUINT-it.
Zulfaj kundërshton QUINT-in: Praktikat e mëhershme lejonin strukturat ilegale të vepronin lirshëm në Kosovë
Këshilltari politik i kryeministrit, Jeton Zulfaj, i ka reaguar ambasadorit gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, kur ky e shpërndau qëndrimin e QUINT-it dhe BE-së që serbëve të Kosovës t’u lejohet të votojnë për referendumin e Serbisë bazuar në praktikat e mëhershme.
Zulfaj në Twitter shkroi se praktikat e mëhershme “kanë qenë praktika të këqija, ku strukturat e huaja ilegale lejoheshin të vepronin lirshëm në vendin tonë”.
“Të gjithë shtetasit serbë në Kosovë me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë përmes zyrës ndërlidhëse serbe në Prishtinë ose përmes postës. Ju të gjithë e përkrahni sundimin e ligjit në Kosovë”, ka shkruar më tej Zulfaj.